Lokalizohet gomonia me 27 klandestinë

03/09/2013 22:30

Një gomone me 27 persona në bord, që dyshohet të jenë klandestinë me origjinë nga Lindja e Mesme, është zhdukur në kanalin e Otrantos, mes Shqipërisë dhe Italisë.

Sipas rojes bregdetare italiane, gjatë mbrëmjes së të hënës, rreth orës 20:50, u mor një sinjal për ndihmë por, pavarësisht nisjes së menjëhershme të anijeve nga Pashalimani dhe Porto Palermo në Shqipëri, nuk u bë e mundur gjetja e gomones.

Operacioni ka vazhduar gjatë gjithë natës, deri në orët e para të mëngjesit të së martës. Kërkimet u  kryen nga 4 anije dhe 1 helikopter i marinës italiane në një pjesë të përqendruar rreth zonës detare të Puljas.

Dyshohet se gomonia, që ka lëshuar sinjalin “SOS”, të ketë pësuar një difekt në motorr dhe mungesa e kordinatave e ka bërë deri në këto momente të pamundur gjetjen e saj. Trupa bregdetare shqiptare ka rishprehur gatishmërinë e saj për të rifilluar operacionet, menjëherë sapo t’i kërkohet nga pala italiane.

Por, kjo e fundit, në mesditë, njoftoi se e kishte lokalizuar gomonen dhe ajo gjendej në ujrat e saj territorialë. Për këtë arsye, pala italiane kërkoi të vazhdonte e vetme operacionin e shpëtimit.

Burimet zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes nuk saktësuan nëse operacioni për gjetjen do të kryhej në orët e vona të së martës. Pala shqiptare, e tërhequr nga operacioni, është vetëm në pritje të informacioneve.

Ende nuk ka ndonjë të dhënë se nga mund të jetë nisur kjo gomone, pasi brigjet e Vlorës janë të populluara në ditët e fundit nga forca të shumta ushtarake angleze, që marrin pjesë në stërvitjen e përbashkët me shqiptarët.

Të ndodhur në Sazan, edhe britanikët u përfshinë për disa orë në kërkime gjatë paradites. Ndërkohë që mediat italiane, në dhënien e lajmit, kanë referuar se gomonia me rreth 20 persona në bord u vu re në zonën e monopolit në Pulja, dhe se mendohet që klandestinët janë me kombësi kurde.

Dynjda drejt Shqipërisë e klandestinëve, që ikin nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme, kanë rigjallëruar me sa duket edhe flotën e gomoneve për transportin e tyre nga Shqipëria drejt Italisë.

Top Channel