Brazil-Meksikë thërrasin ambasadorët e SHBA

03/09/2013 04:15

Brazili dhe Meksika kanë thirrur ambasadorët e SHBA-ve të hënën, pas raportimeve në media se SHBA-të kanë spiunuar presidentët e këtyre dy vendeve.

“Pa paragjykuar vërtetësinë e informacionit të prezantuar nga mediat, qeveria meksikane refuzon dhe dënon kategorikisht spiunazhin ndaj qytetarëve meksikanë në shkelje të ligjeve ndërkombëtare”, bëri të ditur Ministria e Jashtme e Meksikës përmes një deklarate.

Në Brazil, ministri i Jashtëm Luiz Alberto Figueiredo e quajti këtë situatë “një shkelje të papranueshme dhe të patolerueshme të sovranitetit brazilian”.

Deklaratat ishin shenjat e fundit të një grindjeje globale mbi dokumentet e rrjedhura prej ish-kontraktorit të Agjencisë të Sigurisë Kombëtare, Edward Snowden.

Një lajm i mediave braziliane publikoi akuzën për spiunazh, duke cituar Glenn Greenwald, një gazetar brazilian, i cili merr dokumente prej Snowden.

CNN nuk ka konfirmuar në mënyrë të pavarur raportin, ndërkohë që nuk ka pasur ndonjë reagim të menjëhershëm nga Shtëpia e Bardhë.

Raporti u shfaq fillimisht në Globo TV gjatë së dielës dhe pritet të rrisë tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe dy ekonomive më të mëdha të Amerikës Latine.

Një nga dokumentet e rrjedhura prej NSA, të shtëna në dorën e Greenwald, daton më qershor 2012, vetëm 1 muaj përpara zgjedhjes së presidentit meksikan, Enrique Pena Nieto. Në të, kandidati i atëhershëm fliste në lidhje me kandidatët e mundshëm të kabinetit të tij, nëse zgjidhej president.

Dokumentet nuk referojnë ndonjë komunikim specifik me presidenten braziliane, Dilma Rousseff, por tregojnë metodat e përdorura nga NSA, për të cilat akuzohet, duke përgjuar e-mail-et dhe komunikimet telefonike me këshilltarët e saj kryesorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA