Pas Vlorës, kryeministri i zgjedhur Edi Rama zgjodhi Shkodrën për të zhvilluar mbledhjen e dytë të kabinetit qeverisës, që do të drejtojë zyrtarisht që nga java e ardhshme.

Në një mbledhje, që zgjati më shumë se 4 orë dhe që u zhvillua me dyer të mbyllura, pak ditë para votëbesimit të kabinetit të ri në parlament, mësohet se është diskutuar rreth programit te ri qeverisës, të cilin Rama do t’ia paraqesë deputetëve.

Kryeministri i zgjedhur ka kërkuar mendimet e ministrave në dhënien e dorës së fundit dokumentit final për programin.

Paçka se mbledhja e nisur pasditen e së hënës është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe nga mjediset ku ajo u mbajt u sigurua vetëm kjo foto, burime pranë stafit të kryeministrit të ardhshëm deklaruan për Top Channel se pjesë e diskutimeve ishin edhe prioritetet e 100 ditëve të para të qeverisjes.

Të gjithë ministrat kanë raportuar rreth atyre që ata mendojnë se duhet të jenë prioritetet më emergjente, për secilin prej dikastereve që do të drejtojnë.

Kjo mbledhje do të vijojë edhe paraditen e së martës, ku pritet të diskutohet aspekti financiar për buxhetet, që do të përdorin ministritë, krahas paraqitjes së strukturave për secilin dikaster.

Rama reagon në Twitter pas mbledhjes
Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë ka reaguar nëpërmjet profilit të tij në Twitter, pas mbylljes së ditës së parë të mbledhjes së qeverisë së re në Shkodër.

Sipas tij, në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura janë hedhur piketat e qarta për 100 ditët e para, por edhe për 300 ditët e qeverisë së re, të cilat do të përcaktojnë natyrën e qeverisjes dhe cilësinë e marrëdhënieve me njerëzit.

Mbledhja e qeverisë së re në Shkodër pritet të vijojë edhe gjatë ditës së martë, ndërkohë që betimin në Parlament, ekipi i drejtuar nga kreu i PS-së, Edi Rama, do të bëhet javën e ardhshme, më 9 shtator.

Top Channel