Fate Velaj, këshilltar për diplomacinë kulturore

02/09/2013 00:00

Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, po vijon të plotësojë stafin e tij të
ngushtë, i cili do ta këshillojë në vendimmarrjet e rëndësishme gjatë
katër viteve të ardhshme. Pasditen e djeshme, kreu i ri i qeverisë
prezantoi përmes rrjeteve sociale, Fate Velajn si këshilltarin e tij për
diplomacinë kulturore.

Velaj, një artist që ka shërbyer si ambasador de facto mes Austrisë ku jeton aktualisht dhe Shqipërisë, është i njohur për miqësinë e tij personale, por edhe për bashkëpunimet me kryetarin e socialistëve, Edi Rama. Ky i fundit ka zgjedhur të krijojë profile të reja këshilltarësh, duke ristrukturuar kështu kabinetin e kryeministrit. Kështu, pak ditë më parë, Rama prezantoi Shkëlzen Maliqin si këshilltarin e tij për rajonin dhe më herët, Sandër Lleshin si këshilltarin për mbrojtjen. Rama po ashtu ka theksuar se numri i këshilltarëve të tij do të jetë më i vogël sesa ai i paraardhësit, por figurat e tyre do të jenë intelektualë dhe kontribuues të rëndësishëm për fushat që janë zgjedhur të mbulojnë. Ndërkaq, javën tjetër pritet që Rama të emërojë këshilltarin për ekonominë, shefin e protokollit dhe disa të tjerë, të cilët, burime pranë selisë rozë, theksojnë se do të jenë intelektualë kalibri.

Velaj

Në krye të prezantimit të tij për artistin dhe aktivistin Fate Velaj, Rama theksoi faktin se ai përpara dy vitesh ishte nderuar nga presidenti i Parlamentit Europian me çmimin prestigjioz të “Qytetarit europian”. “Ky çmimi i posaçëm i Parlamentit Europian iu dorëzua për merita të veçanta në forcimin e bashkëpunimit dhe integrimin e mëtejshëm të vendeve në Bashkimin Europian, si edhe ndihmesën e dhënë në nxitjen e mirëkuptimit mes qytetarëve të vendeve të ndryshme të Europës përmes bashkëpunimit pa kufij”, theksoi Rama, duke shtuar se ky çmim ishte një prestigj i madh për të gjithë vendin. Rama kujtoi se Fate Velaj është nisur emigrant si shumë shqiptarë të tjerë nga Shqipëria dhe përmes artit, kulturës e politikës arriti të bëhej një nga shqiptarët më përfaqësues në Europë. “I ikur si shumë të tjerë nga Shqipëria në kërkim të Tokës së Premtuar, ky shqiptar emigrant nga Vlora bëri me jetën e tij prej endacaku ëndërrimtar nëpër Europe, një histori suksesi mes artit, kulturës e politikës. I diplomuar ne Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë për Menaxhim Arti e Kulturë, Fate Velaj është organizator i shumë ngjarjeve kulturore nëpër Europë që kanë prekur vëmendjen e politikës, si edhe padyshim, një prej promotorëve më shembullorë të imazhit pozitiv të Shqipërisë në kontinentin e vjetër”, theksoi Rama, duke shtuar se Velaj ka fituar edhe të drejtën e dyshtetësisë, atë austriake në krah të asaj shqiptare.

Strukturimi

Kryeministri i ardhshëm ka zgjedhur të delegojë detyra më të zgjeruara për këshilltarët e tij dhe po kështu të zvogëlojë numrin e tyre. Kështu, Rama ka krijuar pozicionin e këshilltarit për rajonin, që nuk ekzistonte në kabinetin e mëparshëm dhe po kështu atë për diplomacinë kulturore. Në ditët në vijim, Rama pritet të prezantojë edhe pjesën tjetër të këshilltarëve të tij të rinj, të cilët gjithashtu pritet të mbulojnë fusha më të gjera se të paraardhësve të tyre.

Top Channel