“CV”-ja e biznesmenit të vrarë

02/09/2013 00:00

Biznesmeni i ndërtimit, Plarent Cani, që u ekzekutua mëngjesin e së hënës në plazhin e Durrësit, ishte dënuar 7 vjet më parë për trafik narkotikësh në Itali.

Lajmi konfirmohet nga burime policore, ndërkohë që ky është ekzekutimi i dytë brenda 24 orëve i personave me precedentë penalë brenda dhe jashtë vendit në qarkun e Durrësit, pas vrasjes së Lulzim Sherës në Fushë-Krujë.

Viktima ishte pronar i firmës “Cani Construction” shpk dhe ishte duke pirë kafe, në një lokal pranë objektit që po ndërton kompania e tij.

Ai është goditur me armë zjarri nga dy persona me maska, që lëviznin me motorr. Autorët, që dyshohen të jenë vrasës me pagesë, i janë afruar viktimës dhe pasi kanë qëlluar mbi të janë larguar me shpejtësi.

Nga hetimet rezulton se, në maj të vitit 2006, viktima është dënuar me 14 vjet burg si anëtar i një bande shqiptare që trafikonte narkotikë, kryesisht heroinë, nga Shqipëria drejt Italisë.

Pas vendimit të 2006-s, që e dënonte me 14 vjet heqje lirie, viktima kthehet në Shqipëri, ku investon paratë në ngritjen e biznesit të tij.

Hetimet janë përqendruar në aktivitetin e viktimës në fushën e ndërtimit, si dhe larjes së hesapeve për shkak të veprimtarive të paligjshme, në të cilat ishte përfshirë në të kaluarën, po dhe marrëdhënieve me drejtësinë e shtetit fqinj.

Një tjetër pistë, që nuk është përjashtuar nga grupi hetimor, është ajo e hakmarrjes për konflikte të mundshme personale, në të cilat mund të jetë përfshirë viktima.

Top Channel