A do ia dalë Edi Rama?

31/08/2013 00:00

Zamira Cavo – Kjo është pyetja që dëgjon pothuajse në çdo bisedë mes
miqsh, të njohurish apo dhe fare rastësisht duke udhëtuar. A do ia dalë
Edi Rama?

Kjo pyetje mban në vetvete dy probleme të mëdha: Së pari, kjo pyetje na tregon se njerëzit janë të ndërgjegjshëm për katastrofën shqiptare. Janë të ndërgjegjshëm që regjimi i Berishës e ka katranosur kaq keq gjendjen, sa nuk di ku ta gjesh fillin. Problemet janë madhore kudo: në ekonomi, rend, shërbimet sociale, ndërtimet pa leje, arsim… shkurt kudo! Së dyti, kjo pyetje mbart në vetvete dhe besimin e madh, sigurisht dhe shpresën, që kanë njerëzit në një ndryshim të vërtetë të gjendjes. Ky besim i shoqëruar me dyshimin bëhet gati ankthioze për të ardhmen. Ndaj dhe njerëzit pyesin duke shpresuar të marrin nga bashkëbiseduesi përgjigjen pozitive. Le të analizojmë pak mundësitë reale që ka Rama për t’ia dalë mbanë:

Më duhet të them që në fillim se nën një këndvështrim Rama ia doli mbanë për aq sa largoi nga pushteti shkatërruesin e vendit. Sikur dhe kaq, një mision do të quhej “i dalë mbanë”. Por sfida qeverisëse do të vërë para përgjegjësive të mëdha kryeministrin e ri. Dhe jo vetëm kaq. Rama do të përballet me vështirësi të mëdha që do të vijnë jo vetëm si pasojë e gjendjes së mjeruar ku e la vendin “qeverisja Berisha”, por edhe e një opozite po kaq primitive në politikë, që do të vazhdojë të udhëhiqet nga po ky njeri. Deklaratat e bëra deri më sot nga përfaqësues të ndryshëm të opozitës së re, dëshmojnë se kjo opozitë do të vazhdojë të luajë rolin qesharak dhe shkatërrues për të ardhmen e vendit! Ndaj sfida e parë e Ramës do të jetë: qëndrimi ndaj opozitës dhe opozitarizmit! Kjo do të kërkojë patjetër një filozofi qeverisjeje me mendje të hapur, të ngritur mbi ligjshmërinë. Me fjalë të tjera, Rama do të duhet të zgjedhë mes “indiferencës” ndaj sulmeve që do të vijnë nga opozita e Berishës, duke ia ngarkuar qeverisë së re të gjitha vështirësitë që do të hasë kjo qeveri në të ardhmen, dhe transparencës publike me njerëzit për gjendjen ku vërtet ndodhet vendi dhe përgjegjësit realë të saj. Nëse zgjedh rrugën e parë, Rama do të përballet me një revoltë në rritje të njerëzve, të cilët nga shpresat e mëdha dhe pritshmëritë e tyre, do të gjenden përballë zhgënjimeve po kaq të mëdha. Nëse zgjedh të dytën, atëherë do t’i duhet të mos vërë “kapakun” mbi gropën e madhe të plehrave dhe të përpiqet të ndërtojë një qeverisje të re. Pra të tregojë me vepra se kush dëmton këtë vend, kush shkel ligjin dhe kush dëmton pronën publike, ai duhet ndëshkuar! Nga zgjedhja që do të bëjë, do të varet në një farë mase të konsiderueshme edhe përgjigjja pozitive e pyetjes që shtrova në fillim. Por Rama duhet të përcaktojë qëndrimin edhe ndaj opozitarizmit. Ose duhet ta injorojë ose duhet ta dëgjojë e kuptojë, sepse vetëm nëpërmjet këtij opozitarizmi do të mund të kuptojë çka nuk shkon mirë. Cilat janë mundësitë e tjera që favorizojnë ose jo një qeverisje të mirë?

Së pari: Unë i përkas atij grupi politologësh që besojnë se lideri ka në dorë të ndryshojë shumë gjëra, por jo gjithçka! Ka shumë faktorë të tjerë gjeopolitikë që do të kushtëzojnë Ramën në veprimet e tij. Por ajo që vlen të ndiqet me vëmendje, është fakti se Rama e ka marrë qeverisjen si sfidë personale. Dhe kjo është mjaftueshëm e vlefshme për të pritur një qeverisje më të mirë. Sfidat personale janë sfida të njerëzve të mëdhenj. Përvoja botërore ka treguar se në vitet e para, njerëz të tillë sjellin ndryshime të mëdha, më tej ekziston rreziku i shndërrimit të tyre në autoritarë e ndoshta diktatorë. Kjo varet nga mazhoranca, se ajo do të jetë në gjendje të përsosë demokracinë dhe lirinë e saj të brendshme.

Së dyti: Shqipëria është një vend i vogël, ndaj nuk i lejohet të gabojë shumë. Lideri i aftë duhet të ketë të qartë një qëllim madhor, që do të mundësojë të gjitha burimet e fshehura të kombit të tij. Ky qëllim, sipas politologëve, duhet të ngrihet mbi interesin e çastit, për t’i siguruar vendit një të ardhme të sigurt. Nuk them këtu që Rama të shndërrohet në nacionalistin e shekullit. Përkundrazi. Por qëllimi për t’i bashkuar ekonomikisht, kulturalisht dhe moralisht shqiptarët, duhet të mbetet qëllimi i tij strategjik. Nuk besoj që me këshilltarin e tij rajonal, Rama ta ketë të qartë këtë qëllim. (Për ata që do ta quajnë të pavend këtë pikë, ju kujtoj se vendet e vogla dhe të varfra kanë mundësi vetëm mbijetese dhe jo zhvillimi. Ne jemi një popull i madh në numër, vital në energji, me moshë ende shumë të favorshme, me territore që mund të shfrytëzohen integralisht, duke qenë brenda normave të marrëdhënieve ndërkombëtare.)

Së treti: Ekonomia është çështja tjetër kyçe, po aq e rëndësishme sa është gjeopolitika për vendin tonë. Por ekonomia ka elementet e saj tradicionale, tokën, burimet njerëzore dhe kapitalin. Ndaj sfida e Ramës është toka! Toka si territor, por dhe toka si burim zhvillimi. Unë shpresoj që nga konferenca e zhvilluar të jetë trajtuar edhe ky problem. Sa për burimet njerëzore, mendoj se resurset tona janë të mëdha. Do të mjaftonte vetëm një organizim i mirë dhe një shfrytëzim racional i energjive të njerëzve. Ndaj them se sfida tjetër e Ramës do të jetë ringritja e frymës së punës, e bashkëpunimit, e energjive të brendshme që kanë njerëzit. Këto energji janë jo vetëm fizike, mendore, por dhe monetare. Mjafton t’u japësh lirinë dhe sigurinë në një sistem me standarde, por pa klientelizëm, mashtrim e vjedhje. Vendet e varfra nuk gjenerojnë dot kapital, edhe pse sistemi bankar mund të ketë “kursime” të mëdha nga individët. Shndërrimi i tyre në kapital do të duhet të jetë një sfidë tjetër për qeverisjen e ardhshme. Së katërti: Ligji do të jetë sfida tjetër me rëndësi jetike për vendin. Nuk bëhet fjalë vetëm për rendin, por për ligjin, i cili kërkon barazi për të gjithë. Unë mendoj se njerëzit përpara demokracisë kërkojnë barazinë, në kuptimin e mundësive dhe trajtimit të tyre. Ndaj ata do të jenë të ndjeshëm përballë shkeljeve dhe shkelësve të ligjit.

Së fundi: Perceptimet për ecurinë e institucioneve tona publike e jo publike është i ndryshëm, por në thelb mbetet negativ. Janë me dhjetëra klinika mjekësore private që të “rrjepin”, por nuk të shërojnë, ashtu sikundër janë me dhjetëra universitetet e shkollat private, që japin diploma, por jo dije. Por asgjë në botë nuk është vetëm bardhë e zi. Dhe në vendin tonë, mes atyre që kanë përfituar me “leje” nga mungesa e standardeve, nga mungesa e kontrolleve, nga politika klienteliste, ka institucione që ia vlen t’i ndihmosh, t’i propagandosh, t’u japësh mundësitë që të konkurrojnë lirisht në treg. Me këtë dua të them se “bashkë me të thatin, nuk duhet të djegim edhe të njomin”. Jemi vend i varfër dhe sektori privat ka nevojë urgjente të mbështetet, por duke ruajtur standardet dhe rregullat e konkurrencës së ndershme.

Do ia dalë Edi Rama? Unë besoj e shpresoj dhe pse zhgënjimin mund ta kem më të vogël se të tjerët!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA