Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka bërë të ditur se akuzat për sulme me armë kimike pranë kryeqytetit sirian “duhen hetuar pa vonesa”.
Ai ka nisur shefen e çarmatimit, Angela Kane, në Damask, në mënyrë që të ushtrojë presion për një hetim të ngjarjes, siç theksoi zëdhënësi i tij, Eduardo del Buey, të enjten.
Më herët, ministri i Jashtëm i Francës tha se mund të jetë i nevojshëm një “reagim force”, nëse akuzat vërtetohen në terren. Aktivistët opozitarë të qeverisë Assad thanë se afro 1300 vetë u vranë nga sulmet në zonën Ghouta të Damaskut.
OKB i ka kërkuar qeverisë siriane të lejojë një ekip inspektorësh të armëve nga OKB, që aktualisht ndodhet në Siri, të hetojë edhe incidentin e fundit. Por, qeveria, e cila hedh poshtë akuzat, nuk ka dhënë ende asnjë shenjë se do ta lejojë këtë gjë.
Hetuesit, të cilët mbërritën në qytet të dielën dhe po qëndrojnë rreth 15 km nga vendi i sulmeve të fundit, kanë mandat vetëm për të vizituar 3 vende, ku kanë lindur akuza për përdorimin e armëve kimike më herët. Këtu përfshihen qyteti verior i Khan al-Assal, ku rreth 26 persona u vranë në një sulm të besuar me armë kimike në mars.
Qeveria siriane i ka përshkruar akuzat e fundit si “jo të logjikshme dhe të fabrikuara”. Ushtria siriane tha se forcat opozitare kanë lëshuar akuzat, në mënyrë që të heqin vëmendjen nga humbjet e mëdha të pësuara së fundi. Bombardime të rënda kanë vazhduar rreth Ghouta-s, edhe gjatë së enjtes, sipas raportimeve të fundit.
Ndërkaq, zhurma e ndërkombëtarëve mbi sulmet e fundit ka vazhduar të rritet. Laurent Fabius, ministër i Jashtëm i Francës, pas deklarimit mbi “përdorimin e forcës”, nuk dha detaje nëse mbështet një ndërhyrje ushtarake, por përjashtoi idenë e dërgimit të trupave franceze në Siri.
Departamenti amerikan i Shtetit reagoi duke thënë se është urgjente dhe e domosdoshme mbledhja e informacioneve, në mënyrë që të përcaktohet se çfarë ndodhi në Damask.
Nëse qeveria e presidentit të Bashar al-Assad do të rezultojë pas sulmeve me armë kimike, atëherë do të ishte “një përshkallëzim i egër dhe flagrant” i luftës civile siriane, tha zëdhënësja, Jen Psaki. Presidenti Barack Obama paralajmëroi vitin e kaluar se përdorimi i këtyre armëve do të shënonte tejkalimin e “vijës së kuqe”.
Britania dhe 36 vende të tjera i kanë referuar formalisht akuzat e fundit drejt Ban Ki-moon dhe kanë bërë thirrje për “lejimin e inspektorëve dhe dhënien e aksesit të nevojshëm për të nisur hetimet, edhe mbi ngjarjet e fundit, për shkak të urgjencës së këtij problemi”.
Top Channel