Lundruesit polinezianë rigjallërojnë atë që qe humbur

23/08/2013 00:00

Dy kanoe oqeanike janë rikthyer në Zelandën e Re pas një udhëtimi Epik
drejt Ishullit të Pashkës të drejtuara nga lundërtarë polinezianë që
kanë përdorur artizanatin tradicional. Rigjallërimi i aftësive të lashta
vijon të forcohet dhe ka një rëndësi të madhe politike dhe kulturore
për banorët indigjenë të Paqësorit.

Ata dolën në breg nga kanoet e tyre përmes ujërave të shndritshme të lagunës. Kapitenët, e zbukuruar me lule, udhëhoqën një procesion prej rreth 20 burrash dhe grash, nga ishulli Kuk, tahitianë, maorë neozelandezë dhe tre marinarë nga Rapanui, një vend i njohur më shumë me emrin Ishulli i Pashkës.

Pastaj filloi muzika, dinjitarët e vendit mbajtën fjalime dhe vajzat nga shkolla e mesme, ende me uniformat e tyre, kërcyen. Të dyja varkat që sollën kaq shumë gëzim për Rarotongën, i cili është një ishull i përgjumur, u ankoruan në një breg të butë fare pranë plazhit.

Ata dukeshin si anije nga një botë ëndrrash, sapo hap e mbyll sytë, ikën. Ato qenë kanoe të dyfishta me aftësi për të kaluar oqeanin, katamaranë të mëdhenj me dy degëzime, të afta për të mbajtur një ekuipazh prej 14 vetash. Njëra, 20-vjeçarja Te Aurere, nuk ka gozhdë apo mentesha, janë të tëra të lidhura dhe për këtë arsye, janë edhe më të forta, më thanë.

Shpejtësia, qëndrueshmëria në det dhe përmasat e anijeve tradicionale si këto habitën lundërtarët e hershëm europianë. Për më shumë se 3 mijë vjet polinezianët i kanë përdorur kanoet e tyre madhështore, të kombinuara me aftësi lundruese gati të mrekullueshme, për të eksploruar dhe kolonizuar ishujt e shpërndara të Paqësorit, nga Havai në veri në Rapanuin e izoluar në lindje dhe më poshtë në Aotearoa, në jugperëndim, toka e reve të gjata të bardha, që u riemërua Zelanda e Re pas zbulimit nga lundërtari holandez, Abel Tasman, në shekullin e 17.

Riemërimi është akti i parë i posedimit. Ajo që pasoi për Polinezinë është përmbledhur shumë mirë me një frazë të vetme, “impakt fatal”, sëmundje fatale të sjella; sulme nga tregtarët e skllevërve; mbërritja e misionarëve; kolonizim; transformimin e zonës në fushë testimesh bërthamore; dhe tashmë globalizim, një bekim i kufizuar për ishujt e largët që kanë shumë pak gjëra për të ofruar dhe që nuk prodhohen dot me efektivitet në pjesën tjetër të botës.

Përballë të gjithë kësaj, ka qenë një nxitje e madhe morale për popujt indigjenë të Paqësorit të rikthehen edhe një herë te ndërtimi i kanoeve të tyre oqeanike dhe lundrimi i tyre nëpër udhëtime të gjata, duke përdorur aftësi të lashta.

Një prej burrave që mbërriti në Rarotonga me kanoe pati një karizmë të qetë, një pamje autoriteti. Ai qe i pashëm, i rrahur nga moti, 51 vjeç maor nga Zelanda e Re. Jacko Thatcher është mjeshtri lundërtar. Qe pikërisht ai që i solli kanoet në mënyrë të sigurt në këtë ishull pa ndihmën e mjeteve moderne të lundrimit.

Atij iu desh të heqë dorë nga regbi pas një plagosjeje në gju dhe kjo gjë e shtyu t’i hyjë botës së lundrimit. Kjo dëshirë u zhvillua në një kërkim më të thellë për rrënjët dhe origjinën e vet. Ai më tha mua se janë 66 yje, ngjitja dhe pozicionet e të cilëve një lundërtar ka nevojë t’i dijë. Dhe një afrimësi me oqeanin është vendimtare.

“Duhet të mësosh”, tha ai, “të përshtatesh me ndryshimet në drejtimin e erës dhe dallgëve, formimit të reve dhe shtigjeve të zogjve”. Pra vetë kanoe, “bëhet një instrument për ty”.

Këto aftësi të lashta pothuajse qenë humbur. Në fund të shekullit të kaluar pati mbetur vetëm një njeri gjallë me njohuri të plota mbi to. Ai qe Mau Piaulig nga Sataual në ishujt Karoline. Mau qe sakaq mesoburrë kur Shoqëria e Lundërtarëve të Polinezisë i kërkoi atij të mësojë një gjeneratë të re lundërtarësh.

Mau ftoi çirakët lundërtarë në Sataual ku ai u bë mentori i tyre. Për njerëz si Jacko Thatcher dhe Tua Pitman nga Rarotonga, kjo qe një eksperiencë që i ndryshoi jetën.

Ne kuptuam, më tha Tua, se dituritë e lashta mund të sjellin përgjegjësi të mëdha dhe rol lidershipi. “Përmes rigjallërimit të tyre ne rilidhemi me ishujt”, tha ai, “ne po ndihmojmë të mbajmë gjallë identitetin tonë si njerëz të oqeanit”.

Një nga shembujt që ka mbijetuar të lidhjeve të vjetra erdhi gjatë udhëtimit drejt ishullit të Pashkës. Fillimisht rapanuanët spanjisht-folës, Tahitianët frëngjishtfolës dhe banorët anglishtfolës të ishullit Kuk e të Zelandës së Re patën vështirësi në të kuptuarit të njëri-tjetrit megjithëse u gjendën në të njëjtat varka.

Përgjatë javëve të kaluara në det, ata gjetën zgjidhjen duke përdorur gjuhët e tyre të veçanta, por me rrënjë të njëjtë për të komunikuar.

Nuk mund ta mohojë askush se udhëtimi nga një ishull në tjetrin në Polinezi sot është bërë më i vështirë dhe që nga vizita ime e parë më 1978, zonat e largëta po bëhen më të izoluara dhe më të depopulluara.

Kostoja vrastare e fluturimeve ajrore dhe perspektivat e vakëta për vende pune bëjnë që shumë të rinj të largohen nga ishujt e të mos kthehen më kurrë. Zgjedhja është mes të qëndruarit në shtëpi dhe të emigruarit.

Dhe ndoshta kjo shpjegon se pse mjeshtërit e lundrimit dhe kanoet e dyfishta konsiderohen kaq të çmuara. Ato janë përmendore të fuqishme të një epoke historike që ka ndodhur jo shumë kohë më parë kur këto ishuj mitikë të deteve të jugut qenë më shumë të lidhura dhe oqeani qe me të vërtetë një autostradë më shumë sesa një barrierë.

Top Channel