PS-LSI, plani afatgjatë për ndarjen e krerëve të bashkive dhe komunave

14/08/2013 00:00

Dy partitë kryesore të së majtës, Partia Socialiste dhe Lëvizja
Socialiste për Integrim nisin bashkëpunimin dhe në nivel lokal. Në
zgjedhjet e pjesshme në dy komunat Rrethina në Shkodër dhe Dardhas në
Korçë vihet re bashkëpunimi mes PS-së dhe LSI-së.

Ne votimet e 1 shtatorit, socialistët nuk do të paraqesin kandidat të tyrin në Dardhas, por do të mbështesin njeriun e LSI-së për kreun e komunës. LSI-ja kandidon në këto votime me Genci Hamollarin. Ndërsa në Komunën Rrethina të Qarkut të Shkodrës, LSI-ja do t’ia kthejë “borxhin” duke mbështetur kandidatin e PS-së, Luan Arusha. Dhe në këto zgjedhje dy partitë, PS dhe LSI do të dalin në një koalicion të përbashkët, me të njëjtin emër që u përdor në votimet e 23 qershorit për votimet e përgjithshme, Aleanca për Shqipërinë Europiane. Ky koalicion përbëhet vetëm nga këto dy parti, pra PS dhe LSI. Më 27 shkurt, Këshilli i Ministrave vendosi shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave për kryerjen e veprave penale. Pas këtij vendimi, Presidenti i vendit, Bujar Nishani nxori dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në këto dy komuna të Shqipërisë, me datën 1 shtator të këtij viti.

Korça

Pas këtyre zgjedhjeve një tjetër sfidë me qeverisjes së majtë, veçanërisht dy partive kryesore politike, PS dhe LSI mund të jetë qyteti i Korçës. Në qeverinë e re socialiste, e cila pritet të nisë në muajin shtator, në postin e zv.kryeministrit është caktuar kryebashkiaku i qytetit të Korçës, Niko Peleshi. Ende i përzgjedhuri në postin e numrit dy të qeverisë nuk ka dhënë dorëheqjen si kryetar i bashkisë së këtij qyteti. Edhe pse përflitet se ekziston një ide që Peleshi mund t’i mbajë të dy ofiqet. Por nëse do të ketë zgjedhje të pjesshme të parakohshme, kjo pritet të jetë dalja e parë mes PS-së dhe LSI-së në përballjen për një qytet me peshë në Shqipëri. Gjithashtu këtu pritet të vendoset dhe për kandidatin, nëse ai do të jetë i përzgjedhur nga PS-ja apo nga LSI-ja. Pas dy vitesh, Shqipëria pritet të përfshihet në zgjedhjet lokale. Në vitin 2015, PS dhe LSI janë partitë që do të dalin së bashku në votime lokale. Kjo do të sjellë dhe përcaktimin e skemës së daljes, pra të përcaktimit në mënyrë të përbashkët të kandidatëve për kryetarë bashkie. Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani, Vlora, Gjirokastra, Berati, Elbasani dhe apo dhe Fieri janë qytetet ku LSI-ja nuk i fsheh synimet që të ketë kandidatët e saj për postin e kryetarit të bashkisë. Tashmë skema është përcaktuar, ku PS dhe LSI janë boshti i koalicionit të së majtës, duke bërë që gjithë emrat e kandidatëve për kryetar bashkie apo dhe komuna të përzgjidhet ndërmjet dy drejtuesve të kësaj partie, Edi Rama dhe Ilir Meta. Prej kohësh përflitet që LSI-ja synon të marrë drejtimin e bashkive të qyteteve të mëdha të Shqipërisë, ku padyshim synimi kryesor mbetet Durrësi. Ky qytet dhe më parë është drejtuar nga Lefter Koka, tashmë që është deputeti i LSI-së, i përcaktuar si ministër i Mjedisit në qeverinë e re të së majtës që do të drejtohet nga Kryeministri Edi Rama. Zgjedhjet e 2013-s treguan se bashkimi mes PS-së dhe LSI-së i sollën një diferencë të madhe koalicionit të së djathtës. Bashkëpunimi mes dy partive do të përbëjë dhe boshtin kryesor të koalicionit të së majtës. Në zgjedhjet lokale të vitit 2011, PS-ja pa LSI-në fitoi bashkitë kryesore të vendit.

Top Channel