Mungesa e ujit të pijshëm gjatë këtij sezoni, te Shkëmbi i Kavajës dhe në Golem, ka çuar në një përplasje të fortë mes ujësjellësave të Durrësit dhe Kavajës, deri në ndërhyrjen e policisë.

Mesditën e së dielës, Ujësjellës-Kanalizime Durrës ka ndërhyrë në pusetën e ujit në Manskuri, që furnizon zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit.

Sipas drejtorit të ujësjellësit të Durrësit, Doklead Ademi, në bazë të një kontrate të nënshkruar në vitin 2005, ujësjellësi i Kavajës duhet të japë 25% të ujit të rezervuarit të Manskurisë, për të plotësuar nevojat e Durrësit.

Një ditë më parë, sipas tij, Kavaja ka lëshuar më pak se 50% të sasisë ditore të ujit, duke shkaktuar probleme të theksuara në furnizimin me ujë, të afro 30 mijë banorëve dhe pushuesve të zonës së Shkëmbit të Kavajës.

Probleme ka pasur edhe në Golem. Ndërkohë, drejtori i ujësjellësit të Kavajës, Gentian Daja, akuzon drejtorin e Durrësit për ndërhyrje të paligjshme në rrjet, shkatërrimin e pusetës dhe drejtimin e të gjithë sasisë së ujit drejt Durrësit.

Sipas Dajës, ujësjellësi i Kavajës i është përmbajtur kontratës, duke furnizuar çdo ditë me 2 mijë m3 ujë Durrësin dhe kjo, sipas tij, verifikohet nga matësi, por uji shpërdorohet.

Situata paraqitet mjaft e tensionuar në terren dhe dy drejtuesit kanë bërë denoncime të ndërsjellta ndaj njëri-tjetrit në Policinë e Kavajës.

Drejtori i Durrësit, për penalizim masiv të popullatës në furnizimin me ujë, ndërsa ai i Kavajës për ndërhyrje, shkatërrim të paligjshëm të pusetës dhe marrje të sasisë së ujit të destinuar edhe për banorë të tjerë të Kavajës.

Top Channel