Aleksander Cipa – Në të gjitha rrjetet sociale dhe në median e paktë të emigrantëve shqiptarë në Greqi gjatë këtij sezoni të pushimeve verore, zien një ankesë drejtuar qeverisë së Shqipërisë. Prej muajit dhjetor të vitit të kaluar (2012) të gjithë fëmijët e emigrantëve shqiptarë që kanë lindur në Greqi dhe që jetojnë në këtë vend fqinj me Shqipërinë, nuk u lejohet të rikthehen nëse vizitojnë atdheun e tyre, për shkak të shqipshkrimit të toponimit grek ku kanë lindur. Ky nuk është thjesht një problem social, ndonëse i tillë përjetohet prej disa mijëra fëmijëve dhe prindërve shqiptarë në emigracion. Tashmë ky është një problem diplomatik i ngritur fatkeqësisht në nivelin e baraspeshimit nga pala greke, me çështjen e marrëveshjes detare mes dy shteteve, e cila, siç dihet, është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë.
Mediat shqiptare në Greqi e kanë të ripohuar tashmë arsyen se si dhe kur lindi ky problem, ndërsa mediat në Shqipëri ende nuk e kanë fokusuar dhe aq më keq nuk e kanë të qartë zanafillën.
Ndërkohë që pala zyrtare greke e bazon refuzimin e mëtejshëm të shqipshkrimit të toponimeve greke në pasaportat e fëmijëve të emigrantëve, në dokumente të OKB-së, (mbi standardizimin e toponimeve të të gjitha shteteve anëtare), më konkretisht në respekt të Udhërrëfyesit të Toponimeve të Grupit të Ekspertëve të OKB-UNGEGN.
Natyrisht që Athina është kujtuar për këtë udhërrëfyes vetëm gati 10 muaj më parë, ndonëse për mbi 15 vjet asnjëherë nuk është ankuar për kësi çështjesh të shqipshkrimit në pasaportat e emigrantëve shqiptarë. Por, po Athina zyrtare kur e sheh të udhës, lëshon shkresa pranë pikave kufitare me Shqipërinë që për disa ditë, kryesisht festash dhe kremtimesh, të mos merret në konsideratë kjo çështje e shqipshkrimit.(!) Problemi kaq i dhimbshëm dhe preteksti aq privues për mijëra e mijëra shqiptarë, tashmë është ngritur në nivelet më të larta të komunikimit ndërshtetëror. Madje, kryeministri në ardhje Edi Rama, në vizitën e kësaj jave private në selitë e Kryeministrisë dhe ministrit të Jashtëm të Greqisë, e kryerenditi këtë ankesë emigrantësh, si më emergjenten. Kuptohet vetvetiu se sa i zhbërë është rendi i çështjeve dhe problemeve që duhen trajtuar mes dy qeverive, ndërsa njëra është ende e padekretuar zyrtarisht dhe tjetra (ajo në Athinë) është në pikun e një krize për shpëtimin e vendit nga falimenti.
Problemi i zvarritur dhe fëmijët e penguar shqiptarë, për shkak të shqipshkrimeve të toponimeve greke nuk është thjesht një aspekt që buron dhe lidhet thjesht me shërbimet diplomatike apo edhe me mijëra familjet e emigrantëve. Kjo është një çështje që rizbulon edhe një herë falsitetin antihuman që karakterizon kapriçiot e Greqisë shtetërore në raport me Shqipërinë shtetërore. Një kapriçio, e cila konvertohet në lëndim dhe vuajtje te komuniteti disa qindra mijësh i emigrantëve që tashmë janë gati shtetas të natyralizuar në vendin fqinj. Kapriçio të tilla nuk mbjellin më as kompleks e as nënshtrim, por thjesht konservojnë akumulime ndjenjash dhe kontestimesh të brendshme. Pengime të tilla shtetërore potisin në targete të caktuara grupesh dhe individësh në Shqipëri dhe Greqi, ndjenja negativiste dhe paragjykime farëkëqija.
Botimi i njëkohshëm i shkrimit të kolegut Robert Goro në shumicën e të përditshmeve të Tiranës dhe në gazetën “Tribuna” në Greqi, me titull: “Fatkeqësisht linda në Greqi”… (Emigrant në vendin fqinj, dje mbahej peng prindi, sot fëmija), ishte një tërheqje maksimale e vëmendjes publike për problemin. Ky shkrim merrte shkas nga postimi i një 14-vjeçareje shqiptare në Greqi, e cila është e penguar të udhëtojë drejt atdheut të saj për pushimet verore për këtë shkak.
Por nëse këtij reagimi do t’i bashkoheshin edhe reagimet e grupeve të të drejtave të emigrantëve dhe të njeriut në Shqipëri, nëse do të kërkohej që Komiteti i Helsinkit të Shqipërisë të kërkonte reagimin solidar të Komitetit të Helsinkit në Greqi, apo grupeve të të drejtave të njeriut në këtë vend, atëherë nuk do të vijohej e njëjta gjendje dhe i njëjti indiferentizëm.
Ministri i Jashtëm në detyrë, zoti Aldo Bumçi, për këtë çështje mund edhe të pasojë takimin jashtë radhe me homologun e vet grek Venizellos, përderisa takimi i së mërkurës në zyrën e homologut të tij i ambasadorit Dervishi në Athinë, duket se ende nuk e ka dhënë reagimin zgjidhës.
Pengimi shtetëror i fëmijëve të emigrantëve për të vizituar në çdo kohë atdheun e tyre, natyrisht që ka një shkak dhe arsye zyrtare për qeverinë greke, pra buron nga e drejta për respektim të dokumentit të OKB-së. Mirëpo njëkohësisht ky pengim mbart dhe shënon shkelje të disa konventave dhe kartave të tjera ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe sidomos të të miturve, aq më tepër që ata janë emigrantë.(!) Si e tillë, kjo shkelje duhej relatuar me kohë pranë organizmave ndërkombëtarë, sikundër edhe duhet ecur me shpejtësi administrative drejt një zgjidhjeje që nuk sjell pasoja dhe cenime në të drejtën dinjitare të gjuhës së secilit vend në dokumentet kombëtare. Në këtë kazus shqiptaro-grek, vlen edhe diplomacia e reagimit intensiv dhe këmbëngulës, por edhe ajo e sensibilizimit dhe e relatimit në kohë pranë organizmave ndërkombëtarë. Shoqatat e emigrantëve dhe sidomos organizmat e të drejtave të emigrantëve dhe njeriut, në rastin grek për shkak të shqipshkrimeve të toponimeve, me kohë duhej të kishin informuar zyrat e posaçme të OKB-së dhe të Brukselit. Në kësi rastesh autoritetet ndërkombëtare e kanë më të lehtë të ndikojnë mbi autoritetet respektive të dy shteteve për të mos përdorur për qëllime dhe interesa politike, si “karrem” emigrantët. Për ta bërë këtë, ende nuk është vonë. Ndonëse edhe kësaj here emigrantët shqiptarë ia falën dëshirën dhe kënaqësinë për të shijuar verën e atdheut së bashku me fëmijët e tyre, sjelljes dhe diabolizmit shtetëror ballkanas.
Top Channel