
Qeveria italiane aprovoi një dekret ligj për të parandaluar dhe luftuar dhunën kundër grave, një fenomen që në vend ka marrë përmasa shqetësuese.
Bëhet fjalë për një dekret ligj me vetëm 12 nene të bazuara mbi tre pika: parandalim, ndëshkim dhe mbrojtje.
Ministri i Punëve të Brendshme, Angelino Alfano ilustroi të rejat e dekretit që ashpërson ndjeshëm legjislacionin në këtë fushë.
Parashikohet arrestimi në vend në rastet e keqtrajtimit në familje dhe të persekutimit fizik e psikologjik.
Forcave të policisë u kërkohet që të largojnë nga nga banesa bashkëshortin e dhunshëm dhe ta mbajnë atë sa më larg partneres së dhunuar.
Një e re edhe për gratë e huaja të cilat nëse janë pa dokumente qëndrimin dhe bëhen objekte të dhunës në familje, kanë të drejtë të marrin një lejeqëndrimi për arsye humanitare.
Dekreti ndalon tërheqjen e padive për dhunë, gjë e rëndësishme kjo sepse shpesh nga frika apo për të mbrojtur fëmijët, gratë e dhunuara në një moment të dytë e tërhiqnin padinë apo kërkesën për mbrojtje.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetsisë në Itali llogaritet që rreth gjashtë milionë e gjysmë gra pësojnë dhunë fizike, seksuale apo psikologjike dhe prej tyre vetëm 7% ngre padi.
Një plagë sociale në radhë të parë për shkak të viktimave që shkakton, por edhe të rrjedhojave ekonimike.
Në Itali shpenzohen rreth dy miliardë euro e gjysmë për të përballuar kostot e drejtpërdrejta dhe anësore të dhunës kundër grave.
Top Channel