Çeki, qeveria e re humb votëbesimin

08/08/2013 00:45

Qeveria e sapozgjedhur në Çeki ka humbur votëbesimin në parlament, duke bërë që vendi të hyjë sërish në zgjedhje, që parashikohen nga fundi i këtij viti.

Muajin e kaluar, presidenti Milos Zeman emëroi një aleat të vjetër, Jiri Rusnok, si kryeministër, pavarësisht kundërshtimit të partive kryesore politike.

Rusnok fitoi disa mbështetës më shumë në parlamanet, por ditën e mërkurë humbi votëbesimin me 93 vota pro dhe 100 kundër.

Paraardhësi i tij, Petr Necas, u dorëhoq në qershor, pasi ndihmësi kryesor i tij u akuzua për rryshfet dhe abuzim me pushtetin.

Dy ish-anëtarë parlamenti, një ish-ministër dhe kreu aktual dhe ai i fundit i inteligjencës së ushtrisë u burgosën gjithashtu, pas hetimit më të madh antikorrupsion në vend, që prej rënies së komunizmit.

Kritikët akuzuan Zeman se shpërdorim pushteti, kur ai bëri këshilltarin e tij të ekonomisë si kryeministër, i cili u betua në krye të një “qeveri ekspertësh” teknokratë, më 10 korrik.

Partitë e qendrës së djathtë, që kishin mbështetur Necas, argumentuan se kishin të drejtën për të formuar një qeveri, sepse kishin mazhorancën prej 101 deputetësh në dhomën e ulët të parlamentit prej 200 vendesh.

Ata propozuan spikeren Miroslava Nemcova, për postin e kryeministres.

Rusnok arriti të fitonte mbështetjen e partive të majta, përpara votëbesimit të së mërkurës, që kryhet zakonisht brenda 30 ditësh pasi kabineti është betuar, por sërish humbi pas një debati që zgjati 9 orë.

Përpara votimit, Zeman tha se do ta mbante Rusnok si kryeministër edhe për disa javë, edhe nëse do të humbiste. Kryeministri tha se do të dorëhiqej më pas, por mund të vazhdonte me funksionin e kujdestarisë deri sa qeveria e re të formohej, ose të mbahen zgjedhjet e reja.

“Rezultati ishte një humbje shumë dinjitoze”, tha ai. Bazuar në kushtetutë, presidenti ka një shans të dytë për të emëruar një kryeministër. Ai mund të refuzojë gjithashtu në gjetjen e një zëvendësuesi për Rusnok, përpara zgjedhjeve të ardhshme, të cilat priteshin të mbaheshin në fillim të 2014-s.

Gjithsesi, parlamenti ka fuqinë për të shpërbërë vetveten, gjë që do të detyronte mbajtjen e zgjedhjeve më herët, ndoshta në tetor. “Nuk ka kuptim të presim më”, tha lideri social-demokrat, Bohuslav Sobotka.

Top Channel