Në të gjithë Europën, qytetarët po humbasin besimin në qeveritë e tyre. Ky është konkluzioni i një sondazhi, të kryer nga “Transparency International”, në 107 vende.
Në disa vende, mosbesimi apo zhgënjimi ka arritur në 90%, si rezultat i ekzistencës së një niveli të lartë të korrupsionit.
Duke iu referuar shifrave, vetëm 23% e të pyeturve mendojnë se qeveritë po bëjnë punën e duhur, në luftën kundër korrupsionit.
Në Spanjë, 8% e të pyeturve mendojnë se po merren masa kundër korrupsionit, në Itali 13%, në Greqi dhe Portugali vetëm 1%.
Valentina Rigamonti e “TI” tha për Zërin e Amerikës se “kriza e besimit është më e thellë në vendet e goditura nga kriza, ku besimi tek institucionet është i domosdoshëm”.
Besimi ka rënë edhe te partitë politike. Në Greqi, 9 nga 10 të pyetur janë të mendimit se ato ndikohen nga korrupsioni.
Shtetasit e 51 vendeve i konsiderojnë partitë politike si “institucionet më të korruptuara në vendet e tyre”.
Sipas përfaqësueses së TI, Rigamonti, të gjithë vendet europiane janë të prekur nga korrupsioni.
Publikimi i sondazhit u krye në kohën kur një numër politikanësh në Itali, Spanjë dhe Francë përballen me akuza për mashtrime dhe evazion fiskal.
Të enjten, një gjykatë italiane dënoi me burg ish-kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, i akuzuar për evazion fiskal.
Në Spanjë, kryeministri Mariano Rahoi është në shënjestër të akuzave për marrjen e pagesave të paligjshme, nga biznesmenë të ndërtimit.
Në Republikën Çeke, muajin e kaluar, kryeministri dha dorëheqjen pas një skandali, ndërsa në Luksemburg, e gjithë qeveria dha dorëheqjen pas akuzave për korrupsion.
Top Channel