Masakra e Vlorës, autori në kërkim ndërkombëtar

02/08/2013 00:00

Delin Hajdaraj, i dyshuari si ekzekutori i tre plazhistëve në vendin e quajtur “Kalaja” në Vlorë, është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Hetuesit dyshojnë se Hajdaraj mund të ketë kaluar për në Greqi, ose ndodhet i strehuar në zonat e thella malore në jug të vendit. Për momentin ai nuk rezulton në faqen zyrtare të Interpolit, megjithatë policia shqiptare thotë se kjo pritet të bëhet brenda pak orëve.

Ndaj 22-vjeçarit Hajdaraj rëndon akuza e vrasjes. Sipas Prokurorisë së Vlorës, është provuar se ai është autori i vrasjes me armë tip “Kallashnikov” të tre shtetasve në zonën e Ujit të Ftohtë. Të martën, Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për të.

Po të martën, gjykata caktoi edhe masën e sigurisë arrest me burg për Leo Osmenin. 18-vjeçari Osmeni ka qenë nxitësi i sherrit në plazh.

Në dëshminë e tij para prokurorëve, Osmeni rrëfeu gjithë ngjarjen, që nga konfrontimi fizik me grupin e djemve fierakë e deri tek momenti i të shtënave me armë të shokut të tij, Delin Hajdaraj. Ai tha se kishte goditur me kaçavidë ndaj njërit prej djemve nga Fieri pasi i kishin ngacmuar të motrën duke i kërkuar adresën e Facebook-ut.

Plumbat e qëlluar me breshëri nga arma e Hajdarajt  kanë vrarë me rikoshet 3 persona. Diana Ademin, Sokol Isufajn dhe Serdi Bajlozin. Më vonë u mësua se asnjëra prej viktimave nuk kishte patur lidhje me ngjarjen dhe konfliktin mes Leo Osmenit dhe grupit të djemve nga Fieri.

Top Channel