Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk e ka dekretuar Ligjin për Amnisti, i cili ndodhet në Gjykatën Kushtetutese, e që është miratuar më 11 korrik me më shumë se 2/3-at e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

I pyetur se “përse Presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, nuk e ka dekretuar Ligjin për Amnisti, pasi afati 8 ditor, që nga marrja e Ligjit nga Kuvendi, është përmbushur?”, zëdhënësi i Presidentes, Arbër Vllahiu, ka thënë se “Presidentja ka vepruar konform ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në bazë të njoftimeve dhe sqarimeve të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Amnistinë, që kontestohet në Gjykatë nga grupi i deputetëve”.

Më tej, sipas Vllahiut, “Presidentja ka respektuar kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë, duke u bashkërenduar me institucionet e Republikës së Kosovës”.

Por, një ligj mund të hyjë në fuqi, edhe nëse Presidentja nuk e dekreton atë brenda afatit 8 ditësh. Në nenin 80, pikën 5 të Kushtetutës, thuhet se “nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 8 ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e tij apo saj, dhe publikohet në Gazetën Zyrtare”.

Neni 12 i Ligjit për Amnistinë thotë se “ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”.

Sipas procedurave, publikimi i një ligji në Gazetën Zyrtare bëhet atëherë, kur Kuvendi e dërgon atë për publikim.

Por, drejtori i Gazetës Zyrtare të Kosovës, Naser Canolli, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka thënë për Top Channel se Ligji për Amnisti, deri të martën, nuk ka ardhur për publikim në Gazetën Zyrtare. Edhe Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka konfirmuar se deri më tani ligji në fjalë nuk është dërguar për publikim.

Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese ka bërë një sqarim, ku thuhet se “Gjykata Kushtetuese dëshiron të tërheqë vëmendjen se çdo përpjekje për ta shpallur ligjin apo për ta zbatuar atë është jo kushtetuese dhe një akt i tillë është i pavlefshëm. Një ligj, që nuk ka hyrë në fuqi, rrjedhimisht nuk ka pasoja juridike”.

Më tej, aty thuhet se: “Në rastet kur ligji apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit të Republikës se Kosovës kontestohet sipas nenit 113, paragrafi 5 i Kushtetutës, ligji apo vendimi i tillë mund t’i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje, në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës Kushtetuese për rastin e kontestuar”, që do të thotë se institucionet duhet të presin vlerësimin e Gjykatës Kushtetutese.

Ligji për Amnistinë, që del si detyrim nga marrëveshja me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, në javën e dytë të korrikut mori më shumë se 2/3-at e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ky ligj u dërgua më pas në Gjykatën Kushtetutese, nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Lëvizjes për Bashkim dhe një deputet i pavarur, me kërkesën për vlerësimin e kushtetueshmërisë së tij.

Top Channel