Oferta turistike e Shqipërisë

29/07/2013 00:00

Pas ndalesës në Sarandë dhe në Grykën e Rugovës në Kosovë, emisioni “Shqip” u rikthye në studio Tiranë, por jo për të braktisur temën e turizmit, por për ta trajtuar atë nga një këndvështrim tjetër.

Tirana është kryeqendra e vendit. Nga Tirana lind e nis gjithcka, politikat dhe vendimmarrjet për zhvillimin e turizmit, infrastruktura në dobi të tij. Të ftuarit e pjesës së parë, Stavri Çifliku, specialist turizmi, Katherine Boui, përgjegjëse për marrëdhëniet me publikun, Roland Tasho, fotograf, Kliton Gërxhani, ekspert i turizmit folën për bukuritë që ka Shqipëria në përthithjen e turistëve.

Katherine Boui tregoi eksperiencën e saj në vendin tonë.

“Kur mbërrita këtu nuk dija asgjë për Shqipërinë. S’e dija ku ishte. U habita shumë kur erdha, sepse Tirana dhe Shqipëria është një vend shumë i ri dhe jeta është goxha e lehtë dhe shqiptarët janë shumë miqësore, pastaj edhe ushqimi është i shkëlqyer”, tha ajo.

“Të huajt,  shumica e tyre, nuk e kanë idenë fare se ku është Shqipëria, nuk dinë se cfarë të presin kur mbërrijnë këtu. Unë u them që mos prit ndonjë vend shumë të zhvilluar, me shumë rrugë. Po! Ka probleme me rrugët, por edhe kjo është një lloj aventure për turistët”, shtoi ajo.

Katherine tha se me punën e saj ka sjellë disa televizione, gazeta e media të tjera franceze që kanë realizuar reportazhe për Shqipërinë, me gjithë të avantazhet dhe dizavantazhet e saj sa i përket turizmit.

Ndërsa Stavri Çifliku, bashkëpunëtor i Katherinës foli për pasionin e saj për të vizituar Shqipërinë. Ai tha se në shumë pak kohë, ajo kishte vizituar thuajse gjysmën e zonave turistike të Shqipërisë. Ai tha se në përgjithësi, Ballkani mbetet një nga tregjet më të preferuara të turizmit global dhe se Shqipëria duhet të përfitojë nga ky fakt.

Zoti Çifliku tha se Europa Perëndimore është vizituar prej vitesh dhe turistët janë në kërkim të vendeve të reja. Avantazh, tha ai është edhe situata në Lindjen e Mesme, tensionet dhe lufta në disa prej këtyre vendev, sidomos në Egjipt, ku pasiguritë janë të mëdha. Ai tha se Shqipëria ka përfituar nga fluksi i vizitorëve që kanë shmangur vendet e Lindjes së Mesme.

Ai shtoi se Shqipëria penalizohet disi nga moskalimi i rrugëve të mëdha të trenit, një ndër mjetet kryesore të lëvizjes së turistëve.

Ndërsa Kliton Gërxhani tha se në krahasim me vendet si Turqia, Shqipëria është një destinacion modest përsa i përket ofertës turistike. Ai tha se vendi ynë duhet të përqendrohet në konkurencën me vende të barabarta, si Mali i Zi apo Maqedonisë. Stavri Çifliku tha se fqinjët tanë investojnë shumë në promovimin e vendit.

“Në momentin e parë që futesh në Maqedoni, të vijnë 2 ose 3 mesazhe që të njoftojnë për vendet që mund të vizitosh. Ky është promovimi i vendit”, tha ai.

Fotografi Roland Tasho foli për nismën e tij, atë të veshjes me kostumet tradiconale shqiptare, disa prej diplomatëve të njohur. Këtu ishte zanafilla e nisjes së projektit, në vitin 2001”, tha Tasho.

Ai u ndal tek rëndësia e fotografisë dhe artit në përgjithësi në tërheqjen e turistëve. Fotografi Tasho tha se po punon vazhdimisht me fotografitë me kostume popullore dhe se shpejt do t’i materializojë ato me një album fotografik.

Pjesës së dytë të panelit të “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga iu bashkuan Blerina Ago, zv. Presidente e Rafting Group dhe foografi anglez Robert Hackam, i dashuruar me Shqipërinë dhe me gjuhën shqipe.

Robert me aparatin e tij ka përjetësuar imazhe bunkerësh nga Shqipëria. Por c’e ngacmoi fotografin anglez për të realizuar foto të bunkerëve shqiptarë?

“Bunkerët janë patjetër shumë interesantë për audiencën ndërkombëtare. Janë intrigues, shumë të pazakontë dhe duhet të shfrytëzohen nga turizmi shqiptar si një pikë unike për t’u shitur, si një mjet tërheqës unik për të sjellë para të huaja në këtë vend. Është dicka që nuk e gjen asgjëkundi nëpër botë. Bunkerët që kam nxjerrë unë në fotografi janë që të gjithë bunkerë që janë rishfrytëzuar, ricikluar për qëllime të tjera, si banesa, restorante, kafene apo edhe pishina të vogla duke i kthyer përmbys”, tha ai.

Zoti Hackman bëri thirrje që të mos shkatërrohen bunkerët që kanë mbetur. Ai tha se ata janë një burim mjaft unik tërheqës për turistët, sepse njerëzit intrigohen nga bunkerët.

Mes imazheve të Robert është edhe një foto e Piramidës. Ai tha se Piramida është një ndërtesë unike dhe është një mëkat që ka ndërshuar kaq shumë për keq.

“Unë mendoj që kjo ndërtesë duhet të jetë një dëshmi e vuajtjeve të njerëzve gjatë regjimit komunist. Është bërë me shije dhe respekt dhe duhet lënë në kujtim të shumë njerëzve që kanë vuajtur nga regjimi komunist. Njerëzit, turistët, dinë dy gjëra për Shqipërinë, njëra që Shqipëria ka qenë një prej vendeve me komunizmin më të ashpër dhe të rrish gjysmë ore para Piramidës do të shohësh që shumë turistë ndalojnë dhe bëjnë fotografi dhe kjo tregon sa interes të gjall shkakton kjo ndërtesë. Do të ishte një tragjedi kombëtare nëse shkatërrohet. Si ajo që pësuan lapidarët komunistë. Disa prej tyre janë shumë unikë dhe shumë njerëz në Perëndim tërhiqen shumë nga realizmi socialist, tërhiqen nga arti i realizmit socialist ndaj lapidarët ishin një dëshmi e regjimit”, tha Hackman.

Hackman tha se monumentet duhet të mbrohen me patjetër, dhe ndër ta përmendi edhe “Heronjtë e Vigut” që u hoqën nga qendra e Shkodrës.

“Jo vetëm që ishte mëkat dhe turp që u hoqën, sepse në fund të fundit ata vdiqën për të mbrojtur këtë vend, por edhe si turist unë nuk dua të shoh një shatërvan, një shatërvan mund ta shoh në gjithë botën. Unë dua të shoh një statujë të tillë që të më ngjallë pyetje, kush janë këta? Cfarë kanë bërë? Ata ishin shqiptarë dhe ata janë pjesë e historisë së këtij vendi”, tha fotografi anglez.

Ndërsa zv.presidentja e Rafting Albania Group, Blerina Ago foli për një tjetër shkatërrim, atë të monumenteve të natyrës.

Ajo tha se ka shumë pak mbrojtje ndaj aseteve dhe monumenteve për të qenë një vend me objektiv primar turizmin.

“Në Përmet ka patur disa reagime në lidhje me ndërtimin e një hidrocentrali pranë Kanionit të Langaricës, një ndër kanionet më të bukura dhe ne duhet të ndjehemi me fat që e kemi”, deklaroi  Ago.
Për të kuptuar se në c’nivel konkurueshmërie është oferta jonë turistike nevojiten statistikat. Ajo që është problem është se në vendin tonë nuk ka të dhëna të qarta sa i përket numrit të vizitorëve të huaj.

“Unë e kam patur projekt të hershëm po në kuadër të promovimit të turizmit, mund të përmend që edhe veshja e Bajronit me kostum shqiptar, është goxha promovim. Kjo është shumë domethënëse.

Top Channel