I gjithë vendi është përfshirë nga i nxehti afrikan duke shënuar sot
ditën më të nxehtë të muajit korrik, me temperatura deri në 40 gradë
celsius.

“24 orët që lamë pas është regjistruar temperatura 39 gradë celsiu në Gjirokastër, por edhe në vendet e ulëta, ndërsa dita e hënë është një ndër ditët më të nxehta të muajit korrik, parashikohet që temperaturat të shkojnë deri në 40 gradë”, thotë Rezarta Xhakollari, sinoptikane në Shërbimin Ushtarak Meteorologjik.

Sipas sinoptikanëve, në datat 30 dhe 31 korrik parashikohet një tërheqje e lehtë e masave të nxehta sahariane që kanë përshirë të gjithë gadishullin e Ballkanit. Kjo do të çojë në ulje me 1 deri në 2 gradë të temperaturave, për të sjellë sërish temperaturat e nxehta të këtyre ditëve në fillim të gushtit.

“Data 1, 2 dhe 3 gusht do të mbeten të nxehta me temperatura, të cilat do të jenë sërish në vlerat deri në 38 gradë celsius. Nuk presim ndryshime shumë të ndjeshme në fushën atmosferike. Një rënie e lehtë do të ketë ditën e martë dhe të mërkurë, ku do të ketë zhvillime vranësirash, kryesisht në relievet malore”, thotë Xhakollari.

Në këto kushte, mjekët këshillojnë konsumimin e sa më shumë lëngjeve, për të zevendësuar lëngjet që priret të humbasë organizmi për shkak të periudhës së nxehtë. Kujdes të veçantë duhet të bëjnë fëmijët dhe moshat e treta, sidomos të sëmurët kronikë.

“Moshat e treta, ashtu si edhe fëmijët duhet të përdorin ujë, supëra me zarzavate, fruta me qëllim zëvendësimin e lëngjëve të humbura”, thotë infeksionistja Sabahet Dedja.

Mjekët këshillojnë edhe kufizmin e daljes në diell në oraret e pikut, 11:00 deri rreth orës 16:00, kur përqëndrimi i rrezeve është shumë i madh. 

Top Channel