Ishin orët e para të mëngjesit kur forcat e rendit zbatuan 17 urdhër arresti, 14 prej të cilëve për shtetas shqiptarë që konsiderohen pjesë e një rrjeti trafiku lëndësh narkotike.
Droga sillej nga Shqipëria dhe Greqia dhe shpërndahej në Romë, në lokalet më të njohura të kryeqytetit. Përveç sekuestrimit të sasive të mëdha të drogës,janë kryer kontrolle në banesa dhe bodrume ku ajo mbahej në pritje të shpërndarjes.
Operacioni u krye vetëm një ditë pasi në Leçe u kthyen në hi 4 ton marijuhanë, me një vlerë rreth 40 milionë eurosh. Rojet financiare shkatërruan kështu frytin e operacioneve të fundit antidrogë, që çuan edhe në kapjen muajt e fundit të pesë mjeteve lundruese që vinin nga Shqipëria dhe në arrestimin e 13 personave, shtetas shqiptarë dhe italianë.
Droga, e paketuar më së miri, u çua në impiantin e djegjes me automjete ushtarake të shoqëruara nga një helikopter. Ajo u dogj në furra me temperaturë mbi 1 mijë gradë në prani të forcave të rendit, duke fshirë një xhiro kolosale parash që jo rrallë investohen në aktivitete tregtare dhe në pasuri të paluajtshme.
Top Channel