
Ambasadori Mbretërisë së Holandës në Tiranë, Martin De la Beij në një
intervistë për Top Channel, pasi ka përgëzuar koalicionin e majtë për
fitoren, thotë se fituesit e vërtetë të këtyre zgjedhje janë shqiptarët.
Tani ajo që merr rëndësi,- thekson kryediplomati i Holandës,- janë hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren për transferimin e përgjegjësive dhe detyrave tek Qeveria e re.
“Mendoj se Qeveria e re ka përpara shumë gjëra për të bërë”, thotë De la Beij, i cili apelon për mos t’i harruar 12 prioritetet e integrimit.
“Ata kanë vendosur si prioritet të tyre gjatë fushatës zgjedhore axhendën europiane të integrimit. Meqenëse ishin zgjedhjet, në këtë drejtim gjatë dy muajve të fundit nuk ka patur zhvillime që lidhen me këtë aspekt. Tre ligjet tashmë janë pranuar, zgjedhjet gjithashtu ishin një element i rëndësishëm, por është vetëm një element përbërës i axhendës mes BE-së dhe qeverisë së Shqipërisë. Mbeten shumë çështje në këtë axhendë, ato që njihen si 12 pikat të cilat duhen përfunduar. Kjo përbën një detyrë madhore për qeverinë e re. Lipset të mos humbet apo shpërdorohet koha por të vijohet me ato cështje që lidhen me reformat të nevojshme për vendin”, thotë De la Beij.
Ambasadori Holandës e vë theksin në reformën e forcimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore.
“Një prej çështjeve të integrimit që merr një rëndësi të veçantë, e cila më vjen në mëndje tani lidhet me forcimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore, gjë e cila përfshin e Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pasi ne e kemi parë politizimin e këtij institucioni gjatë zgjedhjeve të fundit. Të tilla institucione duhet të punojnë në pavarësi të plotë siç ndodh në Hollandë dhe jo të favorizojnë njërën apo tjetrën palë. Jo vetëm KQZ por edhe institucionet e tjera si drejtësia duhet të përfshihen në fuqizimin e pavarësisë së tyre. Të tillë elementë duhet të jenë pjesë e reformës e axhendës së qeverisë së re”, tha ambasadori.
I pyetur se cilat janë shancet që Shqipëria ta marrë statusin në dhjetor Martin De la Beij dha këtë përgjigje. “Unë nuk mund t’ju them se cilat janë shanset. Ne gjithmonë e kemi thënë se 3 ligjet janë një element,zgjedhjet një tjetër element por 12 prioritet mbeten të rëndësishme. Kjo është një marreveshje mes Brukselit dhe Tiranës për të punuar me këtë axhendë. Mbeten shumë gjëra për t’u realizuar. Hollanda është duke parë këtë proces në Shqipëri në dy mënyra. Ne duan të sigurohemi se BE, standartet dhe vlerat të cilat e formojnë atë janë forcuar. Ato vënde që duan t’i bashkohen BE-së përmbushin të tilla kritere që aplikohen në shtetet tashmë anëtare. Pra nga njëra anë shohim BE-në dhe nga ana tjetër Shqipërinë me reformat e duhura në përputhje me standartet e BE-së. Mbetet një boshllëk i madh. Duhet shumë punë nga ana juaj paçka se BE-ja është e gatshme t’ju ndihmojë në arritjen e këtyre objektivave. Nëse do të ketë një vendim pozitiv në dhjetor kjo mbetet në dorë të gjithë ministrave të jashtëm të BE-së për ta vendosur”.
Por ky boshllëk që përmendi ambasadori mund të mbushet nga Qeveria e re gjatë muajve të mbetur nga shtatori deri në dhjetor?
“Natyrisht ka mbetur pak kohë pasi Qeveria e re do ta marrë detyrën më 9 shtator. Drafti i parë i rekomandimeve për këshillin e Ministrave do të hartohet në tetor.Pra mbetet diçka më shumë se dy muaj për qeverinë e re për të bërë ndryshime. Por të paktën ata të demostrojnë vullnetin për të vijuar reformat. Nuk do të jetë kohë e mjaftueshme në të ndërtuarin e një ‘track record’ me ndryshime. Ne këtë e dimë. Koha është e shkurtër. Duhet të përcaktohet axhenda në ndërmarrjen e veprimeve konkrete për javët dhe muajt e ardhshëm. Kjo duhet bërë sa më shpejt pas marrjes së detyrës. Mbetet përgjegjësi e Shqipërisë të tregojë se në këtë vend jo vetëm flitet për integrimin por ndërmerren hapa konkretë në zbatimin e reformave të domosdoshme. Gjithcka do të vlerësohet në bazë të hapave të ndërmarrë”, theksoi ambasadori.
Top Channel