
Më 22 korrik, rreth 106 mijë persona që zyrtarisht figurojnë anëtarë të
Partisë Demokratike deri më 15 maj të këtij viti dhe që janë të pajisur
me kartën dixhitale të anëtarësisë, janë thirrur nga PD-ja që të votojnë
kryetarin e tyre të ri.
Votimi pritet të mbahet në 57 qendra në gjithë vendin, prej të cilave 18 mësohet të jenë në Tiranë. Burime nga selia blu theksojnë se qendrat do të qëndrojnë hapur nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 7:00 të darkës dhe, sapo kutitë të mbyllen, ato do të transportohen në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, jo në selinë e PD-së siç u njoftua fillimisht, dhe nën vëzhgimin e përfaqësuesve të kandidatëve do të nisë procesi i numërimit. Për këtë është parashikuar që do të ngrihen dhjetë grupe numërimi, secili me nga katër anëtarë. Edhe pse demokratët shprehen optimistë, ende nuk ka një parashikim të saktë se kur mund të mbyllet procesi i numërimit, dhe për rrjedhojë se kur do të mësohet emri i numrit një të demokratëve mes Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës. Nisur nga statuti i kësaj partie, lista zgjedhore përfshin personat e anëtarësuar deri dy muaj para mbledhjes së Kuvendit. Në këtë garë, forumi më i lartë drejtues u zëvendësua nga kryesia me të gjithë anëtarësinë e partisë, e cila do vendosë me votë direkte se kush do jetë në krye të opozitës së djathtë. Të paktën kështu u argumentua zbatimi i parimit që nuk përfshihet në statut “një anëtar një votë” në këto zgjedhje, të parat në PD pas dorëheqjes së Sali Berishës më 26 qershor, ku dhe u pranua zyrtarisht rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit nga vetë Berisha.
Kandidatët
Të dy janë në ditët e fundit të fushatës intensive në gjithë vendin. Po theksojnë avantazhet ndaj njëri-tjetrit, por qëllimin e kanë unik, forcimin e partisë dhe mundjen e Edi Ramës në betejën më të afërt, atë të zgjedhjeve vendore në vitin 2015. Të dy kandidatët në garë për kreun e ri të Partisë Demokratike janë juristë. Sokol Olldashi ka lindur në Durrës, ndërsa Lulzim Basha në Tiranë. I ndajnë vetëm dy vjet diferencë moshe. Kanë mbaruar shkollat e mesme me rezultate të shkëlqyera. Si pjesë e PD-së, të dy i kanë rikthyer peshën politike demokratëve në zona strategjike: Olldashi në Shijak në 2005-n, Basha në Elbasan në 2009-n. Janë projektuar të dy nga Sali Berisha në ministritë më të rëndësishme për demokratët pas vitit 2005: e Transportit dhe e Brendshme. Luajalë ndaj kryetarit Berisha, të dy kanë dorëzuar mandatin e deputetit e postin e ministrit, për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës. Më 23 qershor, të dy kanë humbur thellë në qarqet që kishin në patronazh më 23 qershor, Olldashi në Fier e Basha në Tiranë.
Fushata
Gjatë këtyre ditëve, dy kandidatët në garë për kreun e PD-së Sokol Olldashi e Lulzim Basha, kanë përshkuar cep më cep Shqipërinë duke takuar strukturat vendore të PD-së, si dhe duke zhvilluar mesatarisht 3-4 takime në ditë. Strategjia e të dyve ka mbetur e njëjtë: Lulzim Basha ka vijuar qasjen e tij përbashkuese me qëllim motivimin e të gjithë demokratëve pas humbjes së thellë të 23 qershorit. Bazuar në sukseset e tij politike në vitet e kaluara, Basha ka thënë (Gjirokastër) se e ka të gjithë përvojën e potencialet për të mundur në betejën e ardhshme politike Edi Ramën. Ndërkohë, përvoja politike e ka mësuar Olldashin të reagojë pa komplekse. Sidomos kur preket krenaria e tij politike me insinuatë mediatike se po zhvillohet një garë e pabarabartë në dëm të tij për kreun e PD-së. Të hënën nga Korça tha se përballja për kreun e PD-së është një garë vlerash. Ka vlerësuar kolegun e rivalin Basha, duke e siguruar për bashkëpunim pas 22 korrikut.
Krahas fushatës me bazën demokrate, Basha e Olldashi e kanë nisur edhe monitorimin e mazhorancës së re, tashmë si opozitarë.
Top Channel