Rinumërim për Lezhën dhe Shkodrën

19/07/2013 00:00

Një ditë pasi kryeministri Berisha deklaroi se koalicionit të djathtë i janë vjedhur vota në zgjedhjet e 23 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr vendimin për të çuar në rinumërim të gjitha kutitë e qarkut të Lezhës. I njëjti vendim u mor më pas edhe edhe për qarkun Shkodër.

“Ajo që pamë ishte një manipulim i tmerrshëm. Propozoj rinumërim të gjithë qarkut”, deklaroi anëtari i KQZ-së, Klement Zguri.

Propozimi i anëtarit më të vjetër në KQZ u mbështet me të njëjtat argumente edhe nga kolegët e tij, por u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesit ligjorë të së majtës në institucionin më të lartë administrativ të zgjedhjeve.

“Po dilni mbi çdo ligj dhe çdo preçedenti. Do mbani përgjegjësi penale, kijeni mirë parasysh këtë”, deklaroi përfaqësuesi ligjor i LSI, Ilirian Muho.

Të gjendur përpara këtij vendimi suprizë të KQZ-së, që nuk përbën objektin e kërkesës ankimore të asnjë pale, por të iniciuar nga vetë anëtarët e këtij institucioni, për të majtët ngre hije të forta dyshimi.

Kutitë e votave që kanë ndenjur më shumë se dy javë në magazinat e Lundrës, nisur nga preçedenti i 2011-s për Tiranën, të cilat sipas tyre u mbushën në këto magazina duke prodhuar një rezultat të manipuluar në bashkinë e kryeqytetit, po i nënshtrohen të njëjtit skenar.

“Kjo dëshmon qartë që përsëri Komisioni është vendosur në pozitat e paligjshme të ndryshimit të numrave dhe bërjes pis të procesit zgjedhor. Është thjesht një rrekje për të gjetur një argument juridik. Qëndrimi ynë mbetet që KQZ po vazhdon të përdoret politikisht, është duke administruar grahmat e fundit të pushtetit në ikje, kërkon të bëjë pis procesin zgjedhor, kërkon të përsërisë ngjarjen e 2011, kërkon të cënojë integritetin e kutive për t’i treguar shqiptarëve që rezultati ka qenë i manipuluar, siç janë edhe zërat e politikës në këto ditë”, tha përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjoncaj.

Me një vendim po aq të papritur, katër anëtarët e KQZ-së çuan në rinumërim të votave edhe qarkun Shkodër, ku kishte një kërkesë ankimore të Partisë Republikane, por që kontestonte vetëm disa kuti.

Ky vendim shpjegon edhe faktin se përse KQZ prej ditësh shtynte vendimin për Shkodrën, pavarësisht se në rend kohor ky qark është ankimuar përpara Lezhës.

Në rastin e Shkodrës, KQZ vendosi të pranojë si prova pamjet filmike të numërimit të votave atje, të njëjtën provë që ia kishte rrëzuar vetëm pak ditë më parë LSI-së në ankimimin për Kukësin, me argumentin se filmimet nuk përbëjnë provë për institucionin më të lartë të zgjedhjeve.

“Çfarë ndodhi që i morët pamjet filmike për PR dhe neve na i rrëzuat për Kukësin”, protestoi përfaqësuesi i LSI, Muho.

“Lezha ishte provë e manipulimit nga grupet e numërimit”, u përgjigj kryetarja Lefteri Lleshi.

“Kemi informacione se po ndërhyni në Lundër. Ju paralajmëroj edhe një herë, mos prekni kutitë”, replikoi sërish Muho.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë me rinumërimin e 248 kutive të qarkut të Lezhës ditën e shtunë. Do të jenë 8 grupe pranë këtij institucioni që do të rinumërojnë votat e Lezhës dhe Shkodrës, duke përbërë në këtë mënyrë edhe preçedentin e parë të rinumërimit në KQZ të të gjitha votave të qarkut.

Megjithë kërkesën e vazhdueshme dhe këmbëngulëse të Partisë Socialiste në 2009 për rinumërim të disa qarqeve, KQZ në atë kohë nuk pranoi të hapte asnjë kuti votimi.

PD: Rama manipuloi votat në Lezhë

Partia Demokratike akuzon kreun e Partisë Socialiste Edi Rama për manipulim të votave në qarkun e Lezhës.

Deputeti i PD-së Gerti Bogdani u shpreh në një konferencë për shtyp se hapja e 10 qendrave të votimit të qarkut të Lezhës tregoi manipulimin që është bërë nga PS-ja me votat.

“Shqyrtimi dhe hapja e 10 qendrave të votimit të Lezhës dhe numërimi i tyre nxorrën fytyrën e vërtetë të Edi Ramës, të bazuar mbi drogën, krimin dhe prostitucionin. Edi Rama dhe banda e tij pasi zhduku tabelat origjinale të qendrave të votimit dorëzoi tabelat e falsifikimit në KQZ,” tha Bogdani.

Më tej, Bogani theksoi se pavarësisht se PD-ja me një akt përgjegjshmërie ka pranuar rezultatin e  zgjedhjeve të diktuara nga mashtrimet e Edi Ramës, ajo nuk do të pranojë asnjë rezultat të fituar nga vrasësit dhe trafikantët e Edi Ramës.

Top Channel