Ndërtimet pa leje, përplasen banorët

19/07/2013 00:00

Ndërtimet pa leje që vërshuan gjatë fushatës elektorale tashmë kanë
përfunduar pa u cënuar aspak nga  Inspektoriati Ndërtimore i Bashkisë së
Tiranës.

E ndërkohë që punonjësit e Bashkise tashmë janë fokusuar në fushatën e Lulzim Bashës për kryetar të Partisë Demokratike, të tjera ndërtime pa leje po lulëzojnë.

Por përveçse duke shkelur ligjin, ato po shërbejne si molle sherri ndermjet banorëve,të cilët konfliktohen me  më të fortët që guxojnë të ndertojnë pa leje.

Në zonën e Tiranes se re, banoret e nje pallati prane shkolles “Deshmoret e Lirise” thonë se nuk kanë gjetur asnjëherë përkrahjen e Policisë Bashkiake dhe asaj Ndërtimore, ndonëse kanë denoncuar me dhjetra here.

“Banorët nuk janë pyetur asnjëherë. Bashkia nuk ka reaguar ndaj ankesës tonë. Ndërtimet në pallatin tonë vazhdojnë dhe na kërcënojnë se do na hedhin nga kati i dhjetë, në rast se do të ankohemi”, thotë një banore.

“Për një javë u bënë dy kate dhe nuk dimë e mban apo jo objekti këtë shtesë. Çfarë do të ndodhë në rast të një tërmeti?” thotë një tjetër banor.

Përveç se u është zaptuar ambienti i përbashket këta banorë po jetojnë në stres dhe presion për shkak të kërcënimeve te ndryshme që u bëhen.

“Ky person që bën ndërtimin na heq dritat, ujin, ashensorin,sa herë të ketë dëshirë. Nuk dimë se si të sillemi me këtë person”, thotë një banore.

Komoditeti i atyre që ndërtojnë pa leje është i palimit, pasi ata nuk ngurrojnë as të pranojnë publikisht se po ndërtojnë pa leje, pa u trembur se mund ta ndalojnë.

“Jam në procesin e marrjes së lejes nga Bashkia. Kanë ardhur ata të policisë ndërtimore dhe bënë ndoshta edhe një sy qorr se panë shiringat e drogës në tarracë”, thotë ndërtuesi.

Ndertimet pa leje tashmë nuk konsiderohen të tilla nëse ke paguar diku apo ke mbështetje nga strukturat e Bashkisë. Ndërkohe që kreu i Inspektoriatit te Ndertimit Florenc Hoxha deklaron se do te prishe cdo ndertim pa leje, fakt eshte qe ato mbeten thjesht deklarata mediatike, pasi dhe atje ku ai ka shkuar për të prishur, ndertimi ka perfunduar.

Top Channel