Komisioni hetimor i Kuvendit të Kosovës, pas hetimit të faturave të energjisë të muajit janar vjen në përfundimin se në problemet e paraqitura kanë ndikuar gabimet teknike në lexim dhe gabimet teknike në regjistrimin e të dhënave.

Gjithashtu, edhe ndërrimet e orëmatësve kanë krijuar një situatë të re të tarifës së konsumit. Lidhur më këtë problem, që shkaktoi shumë protesta të qytetarëve, deputetët kanë kërkuar sqarim nga ministri aktual i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili, se si do t’u kthehen këto para konsumatorit.

Ndërkohë, ministri Ismaili ka thënë se 17.9 milionë do t’u kthehet tarifës së konsumatorit duke e zvogëluar çmimin e faturës ose duke mos e rritur atë.

Ndërsa kryetari i komisionit hetimor, Muhamet Mustafa ka thënë se komisioni në raportin përfundimtar ka konstatuar se për janarin e vitit 2013 janë bërë rreth 3.840 ankesa, numër ky i cili është shumë i përafërt me ankesat e vitit 2012 i muajve shtator dhe mars.

“Nëse e analizojmë konsumin e faturuar në janar për vitin 2013, ajo del pothuajse e njëjtë me konsumin e vitit 2012. Është vetëm 0.1 për qind më i vogël. Por vlera e faturës së janarit 2013 me faturën e janarit 2012 është 9.5 për qind më e madhe, ku ka ndikuar ngritja e çmimit diku rreth 8.9 për qind gjatë vitit 2012. Kurse, 0.6 për qind, që është vlerë më e madhe e faturuar me rreth 93 mijë euro, mund të jetë efekt i situatës specifike që ka pasur të bëjë me pakënaqësitë e konsumatorëve. Mirëpo është një shumë relativisht e vogël”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa përfaqësuesja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatçiu ka thënë se duhet të merren masa që të përmirësohet mënyra se si faturohen, lexohen dhe futen shënimet në kompjuter në bazat e shënimeve. Ajo fajin për fryrjen e faturave ia hedh ndërrimit të njehsorëve.

Edhe Visar Ymeri, kryetar i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje ka pohuar se raporti i përcakton shumë qartë problemet që kanë lindur në muajin janar, ndërsa ka kërkuar analizimin e rritjes së çmimeve që ka shkaktuar pakënaqësi te konsumatori.

Në anën tjetër, kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka theksuar se Kuvendi i Kosovës nuk e ka për detyrë të merret me hetime pasi sipas tij, për t’u marrë me hetime duhet të ketë njerëz të specializuar për ta kryer këtë punë.

Shqetësim tjetër për opozitën ishte se 17.9 milionë euro kanë tepruar nga KEK-u dhe sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, kjo shumë i bartet KEDS-it. Megjithatë, në bazë të hulumtimit, tek Rregullatori i Energjisë del se teknikisht nuk ka pasur probleme në kohën e leximit të faturave dhe se nuk janë konstatuar gabime me qëllim.

Top Channel