Elbasan, 16-vjeçari keqtrajtohet nga dy persona

19/07/2013 00:00

Dyshonin se u kishte vjedhur një sasi hekurishtesh në pikën e
grumbullimit të skrapit, e rrëmbejnë dhe e rrahin që të tregonte ku e
kishte dërguar.

Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së mërkurës, rreth orës 23:55, kur shtetasi Jani Xhufka bashkë me një person tjetër, me banim në lagjen “Visarion Xhuvani”, kanë shkuar pranë banesës së një 16-vjeçari me inicialet E.H. dhe e kanë kërkuar për një sqarim.

Më pas e kanë marrë me automjet dhe e kanë dërguar në një rrugicë në periferi të qytetit të Elbasanit. Aty i kanë kërkuar të tregojë se ku e kishte fshehur skrapin që, sipas tyre, kishte vjedhur në pikën e grumbullimit në pronësi të një prej autorëve.

Kjo situatë ka vazhduar për rreth një orë dhe dy personat e kanë rrahur dhe keqtrajtuar 16-vjeçarin të tregonte se ku i kishte dërguar hekurishtet. Edhe pasi është rrahur dhe i është bërë presion për të treguar, E.H. nuk ka pranuar që ka qenë ai vjedhësi i skrapit.

Sipas policisë, pengmarrësit kanë hequr dorë nga kërkesa e tyre kur kanë parë se 16-vjeçari nuk ka pranuar asgjë, edhe pasi është goditur. Sapo është lënë i lirë, edhe pse ishte kërcënuar, ai ka nxituar të mbërrijë në polici për të bërë denoncimin për pengmarrjen. Menjëherë agjentët e policisë kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Jani Xhufka, 24 vjeç, me banim në lagjen “Visarion Xhuvani”. “Ky shtetas akuzohet se, rreth orës 23:55 të së mërkurës, për motive të dobëta, në bashkëpunim me një shtetas të paidentifikuar, ka marrë në mjetin e tij shtetasin R.H. 16 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri, Komuna Bradashesh Elbasan, dhe e kanë rrahur e keqtrajtuar”, pohojnë burimet policore. Sipas tyre, është shpallur në kërkim edhe një person tjetër që ka bashkëpunuar në këtë ngjarje.

Aktualisht, i arrestuari do të përgjigjet për akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë”. Kur kjo vepër shoqërohet me pasoja, apo kryhet në bashkëpunim, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Dëshmia e autorit

Nga të dhënat e para të hetimit mësohet se i arrestuari ka deklaruar se nuk e ka rrëmbyer 16-vjeçarin, por i ka kërkuar atij të tregojë se ku ishte fshehur skrapi i vjedhur. Ai është shprehur se është i sigurt që autori i vjedhjes është 16-vjeçari dhe thjesht ka dashur ta frikësojë që të tregojë se ku ndodhej malli. Ai është shprehur se e ka lënë të lirë kur ai nuk ka treguar dhe nuk e ka kërcënuar. Gjithashtu, 24-vjeçari ka mohuar të ketë pasur bashkëpunëtorë edhe pse, sipas policisë, dhe sidomos dëshmisë së 16-vjeçarit, pengmarrja është realizuar nga dy persona. Aktualisht nuk ka ende një emër të bashkëpunëtorit të dytë të kësaj ngjarjeje.

Rrëfimi i pengut

Pasi është mbajtur për rreth një orë dhe është rrahur për të treguar ku kishte fshehur skrapin, 16-vjeçari është lënë i lirë. Kur ka mbërritur në shtëpi dhe ka treguar se çfarë kishte ndodhur, familjarët e kanë shoqëruar në polici dhe aty ka bërë kallëzimin. Ai ka deklaruar se nuk kishte lidhje me akuzat që i bënin dhe nuk e dinte se kush e kishte vjedhur skrapin. I mituri ka deklaruar se është thirrur për një sqarim dhe ka përfunduar i rrahur dhe i kërcënuar larg shtëpisë së tij nga dy persona, njërin prej të cilëve ai e ka identifikuar. “Nuk kam vjedhur gjë dhe s’kam pranuar akuzat që më bënin. Vendosa të denoncoj atë që më ndodhi. Ishte e padrejtë të më akuzonin mua. S’kam bërë gjë dhe s’kam pse të trajtohem ashtu”, ka deklaruar 16-vjeçari para agjentëve të policisë.

Top Channel