Durrës, grabisin në plazh tre turistë nga Kosova

19/07/2013 00:00

Katër të rinj në Durrës kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi
dyshohet se nën kërcënimin e armëve grabisnin turistët, kryesisht nga
Kosova.

Policia e qytetit bregdetar bëri të ditur se ka goditur një grup të grabitjes së sendeve personale të turistëve që frekuentojnë plazhet e Durrësit, ku sipas të dhënave, në pranga përfunduan Jetmir Mera, 18 vjeç, banues në Kënetë të Durrësit, Leonard Fierza, 20 vjeç, banues në Shkodër, Hasan Toska, 18 vjeç, H. N., 17 vjeç, të dy banues në Bulqizë.

Sipas policisë, këta të rinj dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth orës 23:00 të datës 17 korrik, në sektorin “Apolonia” në plazh, gjatë kohës kur tre pushues nga Kosova, të moshës 22-23-vjeçare ishin duke shëtitur në bregun e detit, nën kërcënimin e një thike dhe të një pistolete, duke ushtruar dhunë fizike mbi ta, u kanë vjedhur sendet personale.

Uniformat blu shpjeguan se të rinjtë e dëmtuar kanë denoncuar se u kanë marrë celularët, çantat e shpinës, bizhuteritë e floririt, si dhe disa dokumente që ata mbanin me vete. “Në sajë të raportimit të shpejtë të rastit dhe ndërhyrjes në kohë nga ana e shërbimeve policore, u bë e mundur kapja në kushtet e flagrancës së këtyre shtetasve, të cilëve iu gjetën me vete edhe sendet e vjedhura, që u sekuestruan për llogari të këtij hetimi”, deklaroi Drejtoria e Policisë së Durrësit.

Po sipas të njëjtave burime, në lidhje me ngjarjen, u kryen veprimet e para hetimore dhe po vazhdon puna për dokumentimin ligjor edhe të veprave të tjera penale të së njëjtës natyrë nga ky grup. Policia tha se ky grup dyshohet të ketë kryer minimalisht edhe në dy raste të mëparshme ngjarje të tilla kriminale.

Top Channel