Dibër, del për piknik me shokët, plagoset 10-vjeçari

19/07/2013 00:00

Një fëmijë, vetëm 10 vjeç, është goditur me plumb në kokë kur mendohet
se ka qenë në një piknik me katër shokët e tij në bjeshkët e Korabit

Ngjarja e rëndë ndodhi në vendin e quajtur “Varri i Sejmenit”, afër liqenit të Gramës dhe nuk dihen rrethanat. Burimet policore bënë të ditur se i plagosuri Ervis Avdia është qëlluar me pistoletë dhe plumbi i ka mbetur në kokë. Për shkak të gjendjes së rëndë, ai u dërgua me helikopter në Spitalin Ushtarak, ndërkohë që policia po heton për zbardhjen e ngjarjes.

Burimet policore bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, kur fëmijët kanë dalë për piknik. Sipas të dhënave, vetë fëmijët kanë qenë ata që kanë njoftuar prindërit e më pas është lajmëruar edhe policia për ngjarjen e rëndë, por që ende nuk ka informacione të sakta sesi ka ndodhur, pavarësisht se paraprakisht mendohet se ka qenë aksidentale. Grupi hetimor tha se fëmijët, të shoqëruar edhe nga prindërit e tyre, janë dërguar në polici, ku janë marrë në pyetje në praninë e psikologut, me qëllim zbardhjen e plotë të krimit. Nga të dhënat mësohet se po hetohet se ku është gjetur pistoleta, që mendohet se fëmijët e kanë pasur me vete, ndërkohë që ka dyshime se i mituri i plagosur është qëlluar gabimisht nga një prej shokëve të tij. Megjithatë, policia nuk ka dhënë zyrtarisht asnjë detaj të mëtejshëm në lidhje me këtë ngjarje. Ndërsa nga burimet pranë Spitalit Ushtarak mësohet se gjendja shëndetësore e të miturit është kritike për jetën.

Top Channel