Një ditë më parë Top-Channel i drejtoi një pyetje publike kryetares së AMA-s Endira Bushati, përse ajo po shpejton ta përmbyllë procesin e liçencimit të rrjeteve numerike pavarësisht se grupet e interesit kanë shprehur kundërshtitë e mënyrës se si ky proces po dirigjohet prej saj.

Përveç problematikës së denoncuar më parë ka edhe një tjetër aspekt ku konsiston antiligjshmëria e Endira Bushatit në krye të këtij institucioni.

Ligji “Për median audiovizive në RSH” ka hyrë në fuqi në 4 prill të këtij viti. Sipas Nenit 11 të ketij ligji, nënkryetar i AMA-s zgjidhet një nga anëtarët i propozuar nga ana e opozitës, duke nënkuptuar faktin që kryetari i AMA-s duhet të zgjidhet nga kanditaturat e paraqitura nga mazhoranca parlamenatare.

Sipas pikës 4 të nenit 9 të ligjit, për përzgjedhjen e kandidaturave alternative për çdo vend anëtari të AMA-s, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik shqyrton të gjitha kandidaturat e paraqitura nga subjektet propozuese. Në çdo rast komisioni mban parasysh ruajtjen e balancës.

Pas datës së hyrjes në fuqi të ligjit, në 4 prill 2013, nënkryetari i AMA-s duhet t’i përkiste opozitës, pra nuk duhet të ishte zoti Sami Neza, i cili në këtë optikë e ka mbajtur këtë post për rreth 3 muaj në mënyrë të paligjshme.

Menjëherë pas hyrjes në fuqi dhe në zbatim të këtij ligji, kryetarja e AMA-s duhet të kishte hapur proçedurat për lirimin nga detyra të zotit Neza dhe zgjedhjen e nënkryetarit të ri.

Por, kryetarja në detyrë e AMA-s, zonja Bushati nuk e zbatoi edhe këtë herë ligjin, ashtu siç veproi edhe me pranimin në mbledhjet e KKRT-së dhe AMA-s të anëtarit pa mandat, zotit Ibrahimi, i cili ka firmosur me dhjetra vendime në mënyrë të paligjshme.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013, ndryshon balanca e forcave politike në parlament. Zoti Neza, pas 3 muajve si i paligjshëm, tashmë bëhet “legal”. Zoti Neza i përket opozitës pas zgjedhjeve të qershorit, pasi është i propozuar nga PD-ja.

Por, kjo formulë e pranuar në ligj, konkretisht në nenin 11 të saj, tani nxjerr të paligjshme vetë kryetaren aktuale të AMA-s, Endira Bushatin. Sipas logjikës së ligjit, duhet që vetë zonja Bushati të japë dorëheqjen si kryetare e AMA-s, pasi ky post i takon një prej kanditaturave të propozuara nga mazhoranca e re.

Në të dy rastet, sido që të bëjë interpretimin e ligjit zonja Bushati, duke mos u marrë me emrat konkretë por vetëm me ligjin, rezulton se vetë AMA, më saktë ajo çka ka mbetur nga ky institucion, është në kundërshtim me ligjin dhe për rrjedhojë çdo vendim i saj nga data e hyrjes në fuqi të ligjit është antiligjor.

E gjithë kjo situatë e detyron Kryetaren e AMA-s dhe vetë instituicionin që ka drejtuar, të mos marrë vendime të nxituara dhe të rëndësishme, që kanë të bëjnë me licensimin e rrjeteve numerike, me një afat veprimtarie prej më shumë se 10 vjet.

Në këtë mënyrë, zonja Bushati duhet të përgatisë dorëzimin e detyrës për të mos shkelur edhe më shumë ligjin, ose në të kundërt duhet t’i hapë rrugë vullnetarisht kontrollit prej institucioneve përkatëse për verifikimin e gjithë veprimtarisë dhe vendimeve të paligjshme të saj dhe institucionit që drejton në mënyrë shumë të diskutueshme prej afro 3 vjetësh.

Top Channel