“21 janari” në Apel, jep dorëheqjen gjyqtari

19/07/2013 00:00

Ditën e premte duhet të zhvillohej seanca e parë në Gjykatën e Apelit
për çështjen e 21 janarit, por ajo është shtyrë për më 25 korrik për
shkak të dorëheqjes nga kjo çështje e gjyqtarit Agron Papajani.

Gjatë seancës kanë munguar të akuzuarit të 4 vrasjet e ndodhura më 21 janar 2011, Agim Llupo dhe Ndrea Prendi, të cilët janë përfaqësuar nga avokati Genci Gjokutaj.

Dorëheqja e gjyqtarit të çështjes ka ardhur pas kërkesës së bërë nga avokati mbrojtësi i të akuzuarit Ndrea Prendi për largimin e dy anëtarëve të trupit gjykues, Agron Papajani dhe Fatos Qato me arsyetimin se kanë konflikt interesi.

Sipas avokatit, Papajani nuk mund të gjykojë këtë çështje pasi ka qenë edhe në seancën gjyqësori kur ish-komandantit të gardës Ndrea Prendi iu dha masa e sigurisë, ndërsa Fatos Qato është bashkëshorti i anëtares së PS-së Merita Qato, e cila sipas Gjokutajt ishte edhe një nga organizatoret e 21 janarit.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës, që i shpalli të pafajshëm ish-komandantin e gardës, Ndrea Prendi dhe ish-gardistin Agim Llupo, dy të akuzuarit kryesorë lidhur me vrasjen e 4 personave më 21 janar u apelua nga Prokuroria e Tiranës, e cila kërkoi gjykimin e ish-komandantit të Gardës për akuzën e vrasjes me dashje në rrethana cilësuese ndaj Faik Myrtajt dhe Agim Llupos, për vrasje me dashje në rrethana të rrezikshme të shtetasve Hekuran Deda dhe Ziver Veizi.

Top Channel