Vrau gruan, arrest me burg Ilirjan Canit

18/07/2013 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda dha të enjten masën e sigurisë “arrest në
burg” për Ilirjan Canin, i cili pak ditë më parë ekzekutoi me armë
zjarri bashkëshorten e tij.

Masa ndaj Canit u dha në ambientet e Spitalit Ushtarak ku ai gjendet i shtruar pasi u vetëplagos pas krimit.

Ngjarja e rëndë u shënua tri ditë më parë në banesën e çiftit Cani, ku 42 vjeçari Ilirjan Cani vrau bashkëshorten e tij, Alketa Canin, nënë e dy fëmijëve, dhe më pas u vetëqëllua me armë duke u plagosur rëndë.

Vrau bashkëshorten, braktiset nga familja

Ilirjan Cani, 40-vjeçari që vrau bashkëshorten dhe tentoi të vetëvritej
pasditen e 15 korrikut në banesë, është braktisur nga familja, e cila
nuk ia fal krimin që bëri.

Mësohet se 40-vjeçari ende nuk ka dalë nga qendra e reanimacionit. Ai dergjet në shtrat dhe mjekët thonë se nuk e ka kaluar rrezikun, pasi plaga është e rëndë. Paraditen e djeshme, në Spitalin Ushtarak, nuk i gjendej pranë asnjë i afërm. Mjekja që kujdesej për Ilirjanin herë pas here dilte në korridor, për të kërkuar familjarët e tij, por ishte e kotë.

Ata janë të zemëruar për veprimin e rëndë që ai ka bërë në gjendje të dehur. Shumë herë i kishin thënë që të hiqte dorë nga pija dhe të mos bënte sherre në shtëpi, por ai kurrë nuk i ka dëgjuar. U pati premtuar familjarëve dhe bashkëshortes që do ta linte pijen, por sapo ndodhej para gotës, i harronte fjalët. Rrahjen e Alketës e kishte kthyer në një ritual të përhershëm dhe ajo nuk u ankua asnjëherë në polici. Kishte preferuar që problemet familjare t’i ndante vetëm më nënën e saj.

Për Alketën, familja ishte e shenjtë, pavarësisht shqetësimeve të përsëritshme që i shkaktonte Ilirjani. Ai kurrë nuk dërgonte para në shtëpi dhe ajo kurrë nuk u ankua. Shkonte për të punuar me orare të zgjatura, për t’i siguruar dy djemve, përkatësisht 13 dhe 3 vjeç, bukën e gojës. E ndjera kërkonte që fëmijët të rriteshin nën prezencën e babait, edhe pse ai nuk ishte një model i mirë për të edukuar fëmijët, pasi kishte krijuar tek ata një dhunë të madhe psikologjike. Shumë herë ai e kishte kërcënuar se do ta vriste, nëse një ditë Alketa vendoste që ta linte.

Braktisja e Ilirjanit

Sjellja e hijshme e 35-vjeçares, kishte krijuar respekt te familjarët e të shoqit, pavarësisht se ata nuk qenë në gjendje që t’i shpëtonin jetën. Askush nuk e justifikon veprimin e 40-vjeçarit, por përkundrazi e gjykojnë dhe e kanë braktisur vrasësin e nënës së dy fëmijëve të tij. Dje, të gjithë të afërmit e Ilirjan Canit ndodheshin në banesën e çiftit, ku ndodhi edhe krimi makabër.

Në verandë ishte edhe babai i 40-vjeçarit, Qerimi së bashku me pjesën tjetër të familjes. Shumë e ka munduar dhimbja këtë të moshuar. Mezi mbahet dhe në dorë mban ndezur një cigare. Ka pirë mjaft prej tyre dhe duket sikur ai nuk e ka ndaluar për asnjë moment.

Dora i dridhet dhe nuk i vjen aspak keq për veten. Në momentin që njerëzit shkojnë te shtëpia, ai ngrihet në këmbë për të bërë respektin, edhe pse i pafuqishëm. I vjen rëndë për atë që ka ndodhur dhe kokën e mban të ulur, sikur të ishte ai fajtori i tragjedisë. Ka dëshirë që të flasë dhe të shprehë gjithë urrejtjen që ka mbledhur për gabimin e të birit. “Më thuaj se çfarë do të dish bija ime. Mua më ka ndodhur gjëma në shtëpi dhe kam hall të madh”, shprehet ai me një zë të mekur. E pyes për shëndetin e të birit. Nuk e mirëpriti këtë pyetje dhe pa humbur kohë më thotë se nuk e di. “Nuk e di se në çfarë gjendje shëndetësore është im bir. Ai është në spital dhe nuk kam shkuar që ta shoh, e nuk do të shkoj. Nuk më intereson fare kjo gjë. Ai ka kryer një krim, më vrau nusen e shtëpisë dhe më la jetimë dy djem. Unë nuk ia fal një gjë të tillë”, flet ai gjithë mllef, ndërsa sytë i mbushen me lot. Ai do të flasë, ka shumë nevojë që t’i tregojë mbarë opinionit publik se nuk e mbështet të birin në veprimin e tij, por dikush ndërhyn për të ndërprerë bisedën dhe thotë që për momentin, nuk kanë dëshirë që ta komentojnë më tej situatën.

Kujdestaria e djemve

Ndërsa në lidhje me kujdestarinë e fëmijëve, Qerim Cani thotë se ende nuk e di së çfarë do të bëhet me këtë çështje. “Fëmijët tani për tani janë te familja e nuses së tim biri. Nuk e di se kush do të kujdeset për ata, sepse ne ende nuk e kemi diskutuar dhe kjo punë nuk është ndarë akoma. Është shumë herët për të folur për këtë gjë, sepse tani kemi halle të tjera”, përfundon biseda e shkurtër me të moshuarin.

Ndërkaq, familjarët e Alketës e kanë shprehur publikisht se vogëlushët do të qëndrojnë te prindërit e saj dhe se nuk do e lënë kurrë Ilirjanin që t’i takojë. Gjithashtu, Fluturie Agalliu, nëna e Alketës kërkon për dhëndrin e saj, dënim maksimal, sepse krimi që ka bërë është i patolerueshëm. Sipas të dhënave, 40-vjeçari e ka rrahur bashkëshorten e tij tri ditë para se ta vriste. Krimi makabër ka ndodhur në banesën e çiftit dhe vrasësi ka shfrytëzuar momentin që fëmijët kanë qenë në plazh, për të ekzekutuar nënën e djemve të tij. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 15 korrikut, në rrugën “Sadik Petrela”, në zonën e njohur si “Kodra e Priftit” në Tiranë.

Top Channel