KQZ shtyn vendimin për Lezhën

18/07/2013 23:00

Asnjë vendim për qarkun e Lezhës, edhe pse kanë kaluar tre ditë nga fillimi i shqyrtimit të ankimimeve të dy partive më të mëdha në vend.

Vështirësia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vendimmarrjen e këtij qarku, duket në pranimin e vazhdueshëm të kërkesave për shtyrje, që palët propozojnë.

Pas seancës së mbledhjes, ku PD e PS paraqitën pretendimet e tyre pas hapjes së kutive, KQZ vendosi të shtyjë vendimmarrjen të premten.

Partia Demokratike kërkoi rivlerësim të rezultatit përfundimtar të qarkut të Lezhës, duke përfshirë në to 10 kutitë e rinumëruara në KQZ, ku koalicionit të djathtë iu  shtua diferenca me koalicionin e majtë në 306 vota, nga 39 që bënin ndarjen e mandatit të saj të fundit.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste paraqiti aktin e ekspertimit të materialeve zgjedhore, pas hapjes së 6 kutive të qarkut të Lezhës, që ajo ka ankimuar.

Ekspertët e kontraktuar nga PS, për të bërë verifikimin e firmave të votuesve, kanë mbërritur në konkluzionin se një zgjedhës ka nënshkruar me dhjetra herë, duke verifikuar përmes kësaj se ka kryer edhe proceset e votimit po kaq herë.

Votimi është bërë në emër të emigrantëve, që nuk kanë qenë prezent në Shqipëri në ditën e zgjedhjeve, për të cilën PS i kërkoi KQZ-së t’i drejtohet Ministrisë së Brendshme për verifikimin e sistemit TIM-s, për lëvizjet në kufi të këtyre shtetasve, procedurë që institucioni më i lartë i zgjedhjeve e ka bërë në zgjedhjet e 2011, për komunën Golem, pas kërkesës së PD.

KQZ nuk mori vendim as për Shkodrën, ku PR konteston rezultatin përfundimtar atje, me pretendimin se është PD, që i ka marrë vota kandidatit të saj, ku diferenca brenda koalicionit gjithashtu është e ngushtë. Vendimin për këtë qark, KQZ po tregohet e vendosur ta japë pas atij për Lezhën, ku debati dhe provat janë më të forta.

Top Channel