Vijon gara për kreun e ri të PD

17/07/2013 00:00

Vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve për kreun e Partisë Demokratike dy
kandidatët, Sokol Olldashi e Lulzim Basha vijojnë intensivisht fushatën e
tyre.

Sokol Olldashi është ndalur në Vlorë, Sarandë e Delvinë, ku ka prezantuar programin e tij.

“Partia Demokratike ka të gjithë potencialin profesional, politik, intelektual për t’u përballur me kundërshtarin dhe për ta shkërmoqur. Ne duhet të kuptojmë që detyra jonë, nuk është që të presim që Edi Rama të bjerë, detyra jonë është që ta rrëzojmë Edi Ramën, një ditë e më pare”, tha Olldashi.

Ndërkaq, Lulzim Basha është ndalur në Korçë, Librazhd dhe Pogradec, ku duke nënvizuar mentalitetin antishtet të mazhorancës së re, ka theksuar se në drejtimin e tij, Partia Demokratike do të jetë gati që në javën e parë, për të ngritur mekanizmat e nevojshëm për të mbrojtur çdo punonjës të administratës nga largimi antiligjor nga puna.   

“Partia Demokratike është gati që sot, të përballet në çdo rast abuzimi me pushtetin dhe goditje të administratës publike dhe shërbimit civil, në mënyrë që për çdo rast t’u ballafaqojmë atyre faturën ligjore dhe detyrimin për t’i rikthyer në punë, faturën financiare dhe detyrimin për t’i dëmshpërblyer moralisht dhe materialisht dhe faturën morale dhe politike, për çdo akt abuzimi mbi vlerën e krijuar shoqërore të administratës publike dhe shërbimit civil në Shqipëri”, tha Basha.

Top Channel