Ndërtimi në Prezë, Lame: Leja në Prokurori

17/07/2013 00:00

Leja e ndërtimit dhënë vjehrrit të ministres së Integrimit, Majlinda
Bregu, për të ndërtuar në afërsi të mureve të Kalasë së Prezës do t’i
drejtohet Prokurorisë në shtator. Artan Lame sqaron se leja është dhënë
në kundërshtim të plotë me ligjin për trashëgiminë kulturore.

“Këtë dosje, në emër të Forumit për Trashëgiminë, në emër të të gjithë vullnetit shqiptar për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, në shtator do ta çojmë për hetim të mëtejshëm në Prokurori, siç do të cojmë për hetim të mëtejshëm në Prokurori, ndërtimin dhe lejet e turpshme të dhëna nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe personalisht nga zoti Apollon Baçe në kalanë e Krujës dhe në zonën përreth pazarit të Kalasë së Krujës, për shpellën e Spilesë; restorant brenda një nga objekteve më të rëndësishme të prehistorisë shqiptare; lejet e dhëna nga zoti Baçe në Korçë, me atë që ndodhi me Shtëpinë e Flamurit dhe që vazhdojnë akoma të mundohen të bëjnë letra për të ndërtuar atje, e kështu me rradhë”, tha Lame.

Ligji per trashegimine kulturore ne nenin 32 te tij percakton se: ‘Për monumentet e kulturës përcaktohet një sipërfaqe toke ose trualli përreth, si zone mbrojtëse, ne përputhje me vlerat e tyre arkitektonike, me përshtatshmërinë e tyre urbanistiko-estetike, me rrethinën dhe me rrethanat ekologjike dhe se përmasat e zonës mbrojtëse përcaktohen nga organi qe shpall monumentin, sipas studimit te bere nga Instituti i Monumenteve te Kulturës”.

Ndaj referuar ketij neni, sipas Lames, zoti Apollon Baçe nuk mund te firmoste kurrësesi leje ndërtimi afër mureve të Kalasë së Prezes.

“Ligji kërkon, monumentit i përcaktohet një zonë mbrojtëse përreth dhe firmoset nga ministri. Nuk ekziston ky dokument. Pasi të ketë përcaktuar zonën mbrojtëse, zoti Baçe mund të flasë është zonë mbrojtëse apo jo. Nuk mund të thotë për një gjë që është dhe s’është, për një gjë që nuk ekziston akoma, pra zona mbrojtëse. Një pikë tjetër po aq e rëndësishme është se tani po na nxjerrin teorinë që paska qenë një shtëpi në 1920 apo në 1930…shtëpi të tilla ka patur edhe në sheshin ‘Skënderbej’. Kjo nuk është arsye, që në sheshin ‘Skënderbej’ të jepet leje për ndërtim tjetër. I bëjmë thirrje të jenë më të përgjegjshëm për ato që thonë, sepse janë të gjitha gjëra që do të përdoren kur të japin llogari përpara organeve të drejtësisë”, tha Lame.

Lame u kerkon punonjësve të Institutit te Monumenteve të Kulturës të mos bëjnë asnjë përpjekje,që nën presion të firmosin shkresa të ndryshme lidhur me këtë ndërtim apo cënime të tjera bërë ndaj monumenteve të kulturës.

“Për sa kohë kjo zonë nuk është përcaktuar, nuk ka ndonjë firmë ministri për këtë çështje, atëherë çdo veprim brenda, ose pranë monumentit është në kundërshtim me ligjin. Shpresoj që kjo që thashë unë tani të mos i shërbëje zotit Baçe për të bërë letra false, siç kanë bërë deri tani dhe për t’i depozituar në institut. Do të përfitoja nga ky rast për t’i bërë thirrje edhe punonjësve të Institutit të Monumenteve, të mos bëhen pjesë e këtij mekanizmi të ndryshimit të letrave, të shtimit të letrave, të bërjes së letrave në ditën e fundit, sepse thjesht do të rëndojnë pozitën e tyre përballë ligjit”, tha Lame.

Nga ana tjeter kryetari i komunes Bubq te rrethit e Krujes, Qemal Daci i cili ka firmosur lejen e ndertimit tha se familja Ajazi ka paraqitur dokumentet qe permbushnin kriteret, pasi zoteronin dokument pronesie leshuar nga Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit te Pronave.

Top Channel