Burri: Gruaja më ktheu dorë kur e rraha për xhelozi

16/07/2013 00:00

Xhelozia në çift ka qenë sërish motivi i një krimi tjetër në familje
paraditen e të hënës në zonën e Kurbinit, kur burri ka vrarë gruan, duke
e goditur me një shkop.

Pas krimit, Policia e Kurbinit ka mbërritur në vendngjarje, duke bërë të mundur arrestimin e autorit të krimit, ndërsa dy fëmijët e çiftit, edhe pse nuk e kanë parë me sy vrasjen e nënës së tyre, janë lemerisur nga britmat e saj për ndihmë, teksa dhunohej nga bashkëshorti deri në grahmat e fundit të jetë së saj. Fqinjët nuk kanë ndërhyrë për të shuar sherrin, ashtu siç ndodhi të shtunën edhe në Tiranë, por kanë njoftuar Policinë e Kurbinit mbi ngjarjen. Policia është nisur menjëherë drejt banesës së familjes Lleshi, por nuk ka mundur të shpëtojë jetën e gruas 27-vjeçare, Valbona Lleshi, megjithëse ka vënë në pranga autorin e vrasjes, Marjan Lleshi, 44 vjeç, i cili kishte një diferencë prej 17 vitesh me të shoqen.

Vrasja

Sipas burimeve zyrtare të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 të mëngjesit të djeshëm në fshatin Fushë–Mamurras të Rrethit të Kurbinit. 44-vjeçari Marjan Lleshi, pas një debati me bashkëshorten e tij, Valbona Lleshi, 27 vjeçe, ka nisur ta dhunojë atë. Pas më shumë se 30 minuta ofendime të ndërsjella, Marjan Lleshi ka nxjerrë nga banesa dy fëmijët e tij të mitur, 9 dhe 7 vjeç, duke u futur në banesë me një shkop në dorë. Në ato momente, dyshohet se ai ka nisur të godasë bashkëshorten në trup dhe në kokë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Marjan Lleshi, edhe përse është përballur me ulërimat për ndihmë të bashkëshortes së tij dhe fëmijëve që qanin në derën e shtëpisë për të shpëtuar nënën e tyre, nuk ka ndaluar dhunën derisa i ka marrë jetën. Pas krimit, Marjan Lleshi është mbyllur në shtëpi, ndërkohë që fqinjët e tij kishin njoftuar Policinë e Kurbinit, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke bërë të mundur hapjen e derës dhe arrestimin në flagrancë të Marjan Lleshit. Sipas policisë, jashtë banesës janë gjetur dy fëmijët e çiftit, të cilët qanin dhe kërkonin ndihmë, ndërkohë që babai i tyre qëndronte i mbyllur në banesë. Ndërsa gruan e të arrestuarit, burimet policore bënë të ditur se e kanë gjetur të mbuluar me gjak në dyshemenë e kuzhinës. Policia ka dashur t’i japë ndihmën e parë Valbona Lleshit, por ajo kishte ndërruar jetë, për shkak të plagëve të shumta që kishte në trup dhe në kokë.

Dëshmia

Pas arrestimit, Marjan Lleshi, i pyetur nga specialistë të krimit pranë Drejtorisë së Policisë së Lezhës, ka treguar rrethanat e ngjarjes që, sipas tij, konflikti kishte nisur për motive xhelozie. “Kam më shumë se një vit grindje me bashkëshorten time. Kjo ka ardhur si pasojë e xhelozisë. Unë kisha dyshime për gruan, e cila nuk më pëlqente në sjellje, por asnjëherë nuk kam mundur ta faktoj një gjë të tillë. Atë e kam dashur jashtë mase, por për një moment kam humbur durimin dhe kam arritur ta qëlloj atë disa herë, duke i shkaktuar edhe vdekjen. Në fakt, unë nuk doja ta vrisja, por ajo ngriti dorë kundër meje. Në këto kushte, situata degradoi dhe e humba kontrollin. Mbaj mend që kam nxjerrë fëmijët jashtë e më pas jam futur në kuzhinë. Doja ta rrihja, por jo ta vrisja”, është shprehur i penduar për krimin i arrestuari Marjan Lleshi.

Fqinjët

Ndërsa një fqinj i familjes Lleshi shprehet se mes Marjanit dhe Valbonës ka pasur grindje vazhdimisht. Fqinjët tregojnë se grindje mes tyre kishin edhe për faktin se ishin të papunë. Megjithatë, sipas tyre, më shumë ziheshin, pasi Marjani ishte mjaft xheloz. “Ishte aq xheloz sa nuk e lejonte Valbonën të dilte as nga oborri i shtëpisë. Por kurrë nuk e mendoja se ata do të shkonin deri në këtë situatë, pasi edhe Marjani ka qenë tip i qetë dhe pa probleme”, shprehet një grua, fqinje dhe e njohur e familjes. Policia e Kurbinit, pas ngjarjes, ka marrë trupin e pajetë, duke e dërguar në morgun e spitalit të Laçi, ku dhe i është nënshtruar ekspertizës. Sipas burimeve nga Mjekësia Ligjore, mësohet se Valbona Lleshi kishte shumë fraktura në kokë dhe në trup, ku për pasojë kishte ndërruar edhe jetë. Edhe ky rast pritet të ndiqet nga Prokuroria për Krimet e Rënda, ashtu siç është parashikuar me ndryshimet në Kodin Penal, ku janë forcuar dënimet ndaj krimit në familje, me qëllim parandalimin e tyre.

Top Channel