Instituti i Monumenteve të Kulturës shkel ligjin e trashëgimisë kulturore duke dhënë leje ndërtimi pranë Kalasë së Prezës, e shpallur Monument Kulture dhe zonë e mbrojtur.

Fare pranë murit rrethues të kalasë, vjehrri i Ministres së Integrimit, Majlinda Bregu është duke ndërtuar një godinë 2-katëshe në tokën e tij, sic edhe pretendon dhe është pajisur me leje si nga Komuna Bubq e rrethit të Krujës ashtu dhe nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Ndërkohë që ligji për trashëgiminë kulturore në nenin 38 të tij përcakton se cdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit të territoreve për ndërhyrje ose ndërtim në zona të shpallura monument kulture, ose zonë e mbrojtur, pranë një monumenti kulture, pavarësisht nga pronësia është i pavlefshëm.

“Është krimi kulturor i radhës i kësaj ministrie, pas një sërë goditjesh që trashëgimia jonë kulturore ka marrë vitet e fundit dhe kemi të bëjmë me një objekt që ndërtohet vetëm 6-7 metër larg Kalasë së Prezës. Kemi të bëjmë me një objekt që ndërtohet në kundërshtim me ligjin e trashëgimisë kulturore, por edhe me cdo lloj konvente ndërkombëtare ku Shqipëria aderon. Nuk bëhet fjalë për ndërtim pa leje, bëhet fjalë për një ndërtim që ka marrë leje nga Ministria e Kulturës, ka marrë leje nga Instituti i Monumenteve, është dhënë nga Komuna. Bëhet fjalë për gërmime me matrapik dhe ekskavator në themelet e Kalasë së Prezës, që është një kala me fillime bizantine që nuk është sqaruar akoma nga pikëpamja arkeologjike mbi fillimet e saj dhe shikoni se cfarë batërdie me polpat dhe masat e mëdha të gurëve që flasin për një hershmëri akoma më të madhe të Kalasë së Prezës”, thotë arkeologu Artan Shkreli.

Projekti parashikon një ndërtim 2-katësh me dy hyrje, njëra prej të cilave do të lidhet edhe me ambjentet e Kalasë. Shkreli denoncon shkeljen e ligjit nga Instituti i Monumenteve dhe Ministria e Kulturës duke kujtuar rëndësinë e Kalasë së Prezës dhe investimin e qeverisë turke në të.

“Prania e dy botëve brenda së njëjtës kala. Në njërën anë kemi investimin e qeverisë turke për restaurimin e njërës anë, sic është Xhamia e Kalasë së Prezës, pjesë e strukturës së brendshme të kalasë, ku harxhohen miliona nga qeveria turke për ruajtjen e monumenteve kulturore shqiptare, dhe nga ana tjetër kemi veprimin e qeverisë shqiptare e cila jep leje shkatërruese në bazamentet e kësaj kalaje. Këtu mund të shikohet vizioni i dy qeverive më shumë se kudo tjetër dhe është një turp që kjo qeveri përpiqet të hyjë në Europë bën gjëra të tilla, dhe vendet që janë shumë larg Europës, sikurse është Turqia, janë shumë më të sensibilizuara dhe shumë më të konkretizuara në veprimet e tyre për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare”, shtoi zoti Shkreli.

Të kontaktuar për lejen dhënë në kundërshtim me ligjin Ministria e Kulturës sqaron se kjo leje është firmosur nga kreu i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe. Ky i fundit  kontaktuar në telefon tha se është Kosovë për një ekspozitë.

Në Institutin e Monumenteve të Kulturës askush nuk prononcohet pa lejen e zotit Baçe. Ndërkohë Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës, e cila është në varësi të ministrisë ka dërguar inspektorët në Kalanë e Prezës për të verifikuar në terren situatën.

Top Channel