Kur të gjithë prisnin deklarimin e mungesës së kuorumit për shqyrtimin e ankimimeve, bazuar në nenin 24 të Kodit Zgjedhor që kërkon shumicë të cilësuar për to, institucioni më i lartë zgjedhor hapi këtë proçedurë që shkaktoi kundërshtimin e ashpër të përfaqësuesve ligjorë të së majtës.

“S’keni kuorum, mos bëni turpe ligjore”, deklaroi përfaqësuesi i PS, Genc Gjonçaj duke iu drejtuar komisionerëve të djathtë. “Vendimi kërkon pesë vota, shqyrtimi jo”, replikoi Ivi Kaso, përfaqësues i PD.

U vu re se i mungoi diskutimit përfaqësuesi i përhershëm i demokratëve në KQZ, Njazi Kosovarasti, ashtu sikundër heshtën edhe dy anëtarë të tjerë të trupës më të lartë administrative të zgjedhjeve, Klement Zguri dhe vetë kryeatarja Lefterije Lleshi.

Ndër anëtarët që u shprehën pro kësaj proçedure ishte vetëm Vera Shtjefni, ndërsa nuk munguan as mendimet alternative. “Çështja ka diskutim, por ne të na vlerësojnë për procesin që e kemi mbajtur me katër anëtarë”, deklaroi Hysen Osmanaj.

Megjithëse heshtën tek debati proçedurial, katër anëtarët e KQZ, ashtu siç pritej bashkuan votat për rrëzimin e kërkesës së parë ankimore të shqyrtuar prej tyre, atë të LSI për qarkun e Kukësit. Mandati i fundit në këtë qark është ndarë në favor të koalicionit të udhëhequr nga PD me një diferencë prej 15 votash.

Kjo, sipas LSI, është shkaku që krijoi mospërputhje mes votave në kuti dhe atyre të shënuara në rezultatin final, ku PD rezulton në fund të procesit të numërimit në 15 kutitë e Tropojës me 150 vota më shumë, të konfirmuara sipas Ilirian Muhos edhe nga rishikimi i filmimeve të numërimt.

Për këtë shkak LSI kërkoi rinumërimin dhe rivlerësimin e votave, por KQZ tha se nuk ka prova për këtë. Kukësi krijoi edhe preçedentin për të gjitha kërkesat ankimore në vijim, që duke e ndjekur atë, do të shqyrtohen nga trupa me katër anëtarë e KQZ.

Mbetet për t’u parë sesi do të jetë vendimi i Kolegjit për proçedurën e institucionit më të lartë të zgjedhjeve me mungesë kuorumi.

Top Channel