Pas nxjerrjes nga arkivat e Institutit të Albanologjisë, prej ku mendohet të kenë qendruar që në vitet ‘45-‘50, kur edhe supozohet të jenë përkthyer në shqip, e shohin për herë të parë dritën e botimit, kujtimet e një prej figurave më të rëndësishme të rilindjes shqiptare, Syrja Bej Vlorës.

Syrja Vlora ka qenë deputet në parlamentit osman si dhe drejtor i Përgjithshem i Doganave Osmane. Më pas ka shërbyer edhe si Ambasador i Shqipërisë në Vjenë në vitin 1914.

Për shkak të sistemit komunist, i cili i mbajti të fshehura këto dorëshkrime nga publiku, nuk njihet as përkthyesi i tyre. Inicialet A.A në njërën prej fletëve dhe përdorimi i njëfarë zhargoni jugor, i bën historianët të mendojnë se ai mund t’i përkasë vlonjatit të njohur të letrave Ali Asllani.

Libri u përgatit për botim nga Akademiku Marenglen Verli dhe Ledia Dushku.

Marenglen Verli, historian: Ishte njeriu i preferuar nga Vjena për të realizuar, në momentet që shpërtheu lufta ballkanike, një shtet shqiptar autonom ose të pavarur dhe hapat e para në axhendën e Vjenës janë ndërmarrës pikërisht nëpërmjet Syrja Vlorës. Një risi kjo e perifrazuar kaq fort sepse deri më sot kujtohej sikur cdo gjë është bërë në linjën e rrugëtimit të Ismail Qemalit.

Ledia Dushku, Instituti i Studimeve Albanologjike: Nga fundi i sundimit osman deri në luftën e Vlorës, nuk është thjeshtë një libër kujtimesh. Autori ka pasqyruar në të edhe biseda të rëndësishme me vendas e të huaj, të zhvilluara nga ai vetë, letra e telegrame të dërguara apo të pritura prej tij si dhe shënime të rëndësishme për njohjen e procesit historik, informata e të dhëna që shpesh nuk gjenden në shkrimet historike.

Syrja Vlora  ka jetuar e punuar pranë elitës politike të kohës, por ka patur kontakte dhe njohje me shumë persona të rëndësishëm edhe në botë. Vëllai i tij ishte Kryeministri i fundit i Perandorisë Osmane para se të ndodhte revolucioni xhonturk në 1908-ën, ndërsa Ismail Qemali ishte kushëriri, por edhe një prej rivalëve të tij politikë.

Në kujtimet e tij gjenden shumë të vërteta historike dhe interesante, disa prej të cilave të panjohura më parë mbi ngjarje të rëndësishme të kohës si dhe figura nga më të shquarat në vend si Ismail Qemali, Esat Pashë Toptani, i cili ishte edhe kunati i tij, Preng Bibë Doda, Ahmet Zogu etj.

Top Channel