“21 janari” në mediat ndërkombëtare

07/07/2013 23:10

Vendimi i gjykatës për shpalljen të pafajshëm të ish-shefit të Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-oficerit Agim Llupo, u pasqyrua gjerësisht në agjencitë dhe mediat ndërkombëtare.

Gazeta prestigjoze “Washington Post” nënvizon faktin që vendimi u kritikua nga Shtetet e Bashkuara, që garantuan ndihmë në hetimet mjeko-ligjore për “21 Janarin”.

“Washington Post” i referohet deklaratës së lëshuar nga ambasada amerikane e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila shprehu zhgënjimin nga vendimi.

“Gjykata nuk mori në konsideratë ndihmën e madhe, – shkruhej në deklaratë, – përfshirë ekspertizat nga Byroja Federale e Hetimeve, që iu garantua nga Shtetet e Bashkuara pas një kërkese urgjente nga qeveria e Tiranës dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm”.

Kësaj deklarate i referohen edhe dy agjencitë prestigjoze të lajmeve, Associated Press dhe Reuters. “Vendimi i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe vullnetin e sistemit juridik të Shqipërisë, për të dhënë drejtësi në një mënyrë të paanshme dhe transparente”.

Mediat ndërkombëtare i referohen edhe deklaratës së Renato Myrtajt, djalit të Faik Myrtajt, një prej viktimave të 21 janarit, i cili tha se tani do të marrë në dorë çështjen, duke iu rikthyer historive të hakmarrjes.

Gazeta “Washington Post” citon edhe Albi Seranin, zëdhënësin e zyrës së prokurorit të përgjithshëm, i cili nuk pranoi të thoshte nëse prokurorët do të apelonin vendimin.

Sipas tij, – siç shkruan gazeta amerikane, – duhet të lexojnë së pari vendimin, që shton tensionet politike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, që do të zhvillohen më 23 qershor.

Top Channel