Kosova “pushton” Shëngjinin

06/07/2013 00:00

Plazhi i Shëngjinit është një nga brigjet më tërheqëse të veriut të Shqipërisë. I vlerësuar për cilësinë e ujit, rërës dhe pamjes gjeografike, ky është vendi që po thith së fundmi pushuesit kosovarë.

Këtë verë e gjejmë zonën më të realizuar në infrastrukturë dhe të tejmbushur me shqiptarët e përtej kufirit. “Është viti i pestë që vij në Shëngjin, po sivjet po më pëlqen se paska ndryshime. Është ndërtuar trotuari, ndërkohë që janë përmirësuar uji dhe mikpritja”, thotë një pushuese.

Mbase shumë prej tyre do të zgjidhnin jugun për të pushuar, por…. “Jugu është më mirë, po Shëngjini është më afër dhe vijmë këtu”, thotë një turist i ardhur.

Dhe afrimi i Kosovës me këtë plazh ka ndryshuar edhe kursin e marketingut për vendasit, që tashmë reklamat e bizneseve të tyre ua ofrojnë mediave kosovare.

“Na kanë dhënë ca kartela me informacione edhe në Kosovë. I bëhet shumë reklamë vendit këtu që në Kosovë”, tregon një turist tjetër.

Dhe fluksi nuk duket të jetë vetëm përfitim i bizneseve. Megjithatë, në Shëngjin kushdo ka arsyen personale për ta gjetur veten mirë duke pushuar. “Më pëlqen dhe i kaloj shumë mirë pushimet këtu”, thotë një vajzë e vogël që ka ardhur me familjen.

“Jam nga Mitrovica, e kam shumë afër Shëngjinin. Për 3 orë jemi këtu. Ka përmirësime rruga, uji dhe ushqimet, si tek ne”, thotë një grua.

Sepse edhe vendasit u kanë lënë sivjet një hapësirë më të madhe shijeve gastronomike atyre, të cilët përbëjnë pjesën dërrmuese të pushuesve.

Sipas Endriketa Muçës, përgjegjëse e Zyrës së Turizmit në Komune, rreth 80% e plazhistëve në zonë janë nga Kosova. “Kemi vënë re se janë hapur shumë restorante me gatime kosovare dhe u kanë vënë emrat e tyre”, saktëson Muça.

Hysni Berisha është një prej atyre personave që e ka parë më me leverdi zhvendosjen e biznesit të tij nga Prishtina në Shëngjin për këtë periudhë pushimesh.

“Kemi dëgjuar që ka nevojë për ushqim kosovar dhe vendosëm të vijmë. Ata janë të kënaqur por edhe vendasit vijnë nga kureshtja”, thotë ai.

Duket që deti me prodhimet e tij aq të lakmuara në kohë pushimesh nuk krijojnë të njëjtin perceptim për kosovarët. “Ne mërgimtarët e kemi nostalgji kuzhinën tonë dhe ky restorant i plotëson nevojat”, thotë një emigrant kosovar i ardhur për pushime.

Gjithçka në këtë sezon për Shëngjinin është në vendin e duhur. Përveç çmimeve që nuk rrijnë gjithmonë kështu. “Çmimet e dhomave kanë ndryshuar pak, por janë të volitshme për xhepat tanë. Çmimet sivjet janë më të shtrenjta, si ato në supermarket edhe ato për dhomat”, thotë një turiste.

Megjithatë Shëngjini është përgatitur që këtë vit të presë një numër më të lartë pushuesish nga sezoni i shkuar.

Top Channel