Qeveria e Ekuadorit deklaroi një ditë më parë se ka dyshime të bazuara se një kompani private sigurimi përgjoi ambasadën e saj në Londër.
Por, kompania “Surveillance Group Limited”, uebsajti i së cilës krenohet për lidhjet me agjencitë britanike të zbatimit të ligjit dhe institucionet financiare europiane, mohoi këtë akuzë, ditën e enjte.
“Kemi dëgjuar një akuzë, burimi i së cilës me sa duket është Ricardo Patino, ministri i Jashtëm i Ekuadorit, i cili shprehet se kompania jonë ka përgjuar Ambasadën ekuadoriane. Kjo është tërësisht e pavërtetë, – tha Timothy Young, shefi ekzekutiv i kompanisë, nëpërmjet një deklarate me shkrim. – “Surveillance Group” nuk përfshihet dhe nuk është përfshirë kurrë në ndonjë aktivitet të kësaj natyre. Ne nuk jemi kontaktuar nga ndonjë anëtar i qeverisë ekuadoriane, ndaj dhe njoftimi i parë për ne ka qenë përmes shtypit këtë mëngjes”.
Patino tha për reporterët, të mërkurën, se Ekuadori kishte “dyshime të bazuara” se kompania britanike fshihej pas një pajisjeje sekrete regjistrimi, të zbuluar brenda një pajisjeje elektrike në zyrën e ambasadorit, muajin e kaluar.
Por, ai nuk dha detaje, se çfarë i shtyu autoritetet ekuadoriane të dyshonin te përfshirja e kompanisë. Ministria e Jashtme ekuadoriane u bëri thirrje autoriteteve britanike të ndihmonin në hetimin e këtij incidenti.
Top Channel