Ultimatumi, Mursi kundërshton ushtrinë

02/07/2013 00:00

Presidenti i Egjiptit, Mohamed Mursi kundërshtoi ultimatumin 48-orësh të ushtrisë për të zgjidhur krizën e rëndë që ka përfshirë vendin, me argumentin se trazirat do të përhapen me tej.

Ai këmbënguli se do të vazhdojë të ndjekë planet për pajtimin kombëtar.Ushtria paralajmeroi se do të ndërhyjë nëse qeveria dhe opozita nuk i kushtojnë vëmendje “vullnetit të popullit”, por u përpoq të shpjegonte se ky ultimatum nuk i ngjante grushtit të shtetit.

Festime të zhurmëshme nisën gjatë natës pasi protestuesit e komentuan ultimatumin e ushtrisë si “fundin e regjimit të Mursit”. Dhjetëra mijëra përkrahës të Lëvizjes opozitare “Tamarod” mbushën sheshin “Tahrir” në Kajro.

Sic raportohet në qytetin e Suezit janë shënuar përleshje mes grupeve kundërshtare.Agjensia shtetërore e lajmeve, MENA raportoi të martën se Ministri i Jashtëm, Mohamed Kamel Amer ka paraqitur dorëheqjen. Nëse kjo do të pranohet, atëherë ai i bashkohet të paktën pesë ministrave të tjerë që, sic është raportuar, kanë dhënë dorëheqjen për krizën politike.

Të dielën miliona njerëz u grumbulluan në të gjithë vendin me thirrjen e dorëheqjes së presidentit. Kundërshtarët e presidentit Mursi e akuzojnë atë se vendos në krye interesat e “Vëllazërisë Muslimane” dhe jo ato të vendit.

Mohamed Mursi është presidenti i parë i Egjiptit, prej 30 qershorit në vitin 2012, pasi fitoi zgjedhjet e para të konsideruara të lira dhe të ndershme, pas revolucionit të 2011 që rrezoi Hosni Mubarakun.

Presidenti amerikan Barak Obama, që aktualisht ndodhet në Afrikë i bëri thirrje Mursit t’i përgjigjet shqetësimeve të protestuesit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi se kriza aktuale mund të zgjidhet përmes një procesi politik.

Top Channel