
Kundërshtarë dhe mbështetës të presidentit egjiptjan Mohamed Mursi janë mbledhur në kryeqytetin Kajro, ndërsa afat i vendosur atij nga protestuesit për të lënë pushtetin, skadoi.
Grupi Tamarod ishte shprehur më parë se kreu i shtetit kishte kohë deri në orën 5 të jepte dorëheqjen, në të kundërt do të përballet me një fushatë të mirëfilltë mosbindjeje civile. Ultimatumi u lëshua të hënën, disa orë përpara se edhe vetë ushtria e vendit të paralajmëronte me ndërhyrje nëse Mursi nuk arrin një marrëveshje me opozitën.
Vetë presidenti e kritikoi deklaratën me argumentin se ajo mund të shkaktojë pështjellim në popull. Ai u takua për të dytën ditë radhazi me kreun e forcave të armatosura, gjeneralin Abdel Fattah al-Sisi. Bisedimet që përfshinë edhe kryeministrin Hisham Qandil u zhvilluan me dyer të mbyllura. Presionet mbi Mursin i shtuan akoma më shumë dorëheqjet e 6 ministrave të qeverisë së tij, ndër të cilët edhe shefi i diplomacisë, Kamel Amr.
Së fundmi, mësohet të jetë larguar edhe zëdhënësi i presidencës. Këto zhvillime vijnë pas ditë të tëra protestash mbarëkombëtare dhe dhune që ka shkaktuar të paktën 16 të vdekur.
Opozita këmbëngul se fakti që ushtria është rreshtuar në krah të popullit mund të nënkuptojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale. Ndërkohë, qëndrimi i Mursit deri tani mbetet i pandryshuar nga deklarata e mëparshme e Zyrës Presidenciale sipas të cilës kreu i shtetit do të mbështetet në planin e tij për pajtimin kombëtar, pavarësisht nga pretendimet që thellojnë ndasitë mes qytetarëve.
Top Channel