
Presidenti amerikan Barack Obama vendosi një kurorë me lule mbi varrin e 11 amerikanëve që humbën jetën pas sulmit me bombë të Al Kaedës në vitin 1998, në qytetin Dar Es Salaam të Tanzanisë.
Ngjarja përkon me bombat e vendosura në Nairobi të Kenias, ku humbën jetën qindra persona.
Në këtë ceremoni, krah tij ishte edhe paraardhësi George W Bush, i cili ndodhet në Dar Es Salaam për të marrë pjesë në konferencën mbi “gratë afrikane”, të sponsorizuar nga Instituti George W Bush.
Kjo ishte ndalesa e fundit e presidentit amerikan Barack Obama në Afrikë, që nisi në Senegal dhe në Afrikën e Jugut.
Duke e parë Afrikën si “histori tjetër të madhe të suksesit në botë”, Obama kërkoi shtimin e lidhjeve tregtare mes Afrikës nënsahariane dhe Shteteve të Bashkuara, duke u fokusuar fillimisht në Afrikën lindore.
Rrëzohet helikopteri në Siberi, 19 viktima
Një helikopter u rrëzua në Siberi, duke shkaktuar vdekjen e 19 personave, mes të cilëve edhe fëmijë. Siç raportojnë mediat e huaja, helikopteri i tipit “MI-8” u aksidentua në zonën jugore të Jakuzias, republikë autonome ruse në Siberinë Lindore.
Në bord ndodheshin 25 pasagjerë, 11 prej të cilëve fëmijë dhe tre pjesëtarë të ekuipazhit. Të mbijetuarit treguan se helikopteri mori flakë pak para rrëzimit. Mjeti fluturues, i kompanisë “Poliarnie Avialini”, nuk mundi të lidhej me kullën e kontrollit dhe rrëzimi ndodhi si pasojë e turbolencave të forta.
Raketa ruse rrëzohet në Kazakistan
Një raketë ruse “Proton-M” u rrëzua disa sekonda përpara lëshimit të saj nga kozmodromi i Baikonurit në Kazakistan. Video e shfaqur nga televizioni rus tregon ndarjen në dy pjesë të raketës dhe më pas shpërthimin e saj në flakë.
Agjencia ruse e lajmeve InterFaks raportoi se mbi 500 tonë karburant ka ndotur zonën ku u rrëzua raketa, që mbante tre satelitë rusë “Glonass”. Nuk raportohet për viktima dhe mbeten të paqarta shkaqet e aksidentit.
Top Channel