
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të martën në veri të Italisë, ku një agjent policie i pezulluar nga detyra ka hyrë në selinë e Komunës së një qyteze dhe ka qëlluar me pistoletë kryetaren e bashkisë.
Sipas raportimeve të mediave italiane, nga të shtënat kryetarja e lokalitetit Kardano al Kampo, në afërsi të Milanos, ka mbetur e plagosur rëndë.
Ndërkohë, autori i sulmit, i cili ka plagosur edhe nënkryetarin e bashkisë, është arrestuar nga kolegët. Përveç pistoletës, ai ishte i armatosur edhe me një pushkë.
Mësohet se kryebashkiakja Laura Prati dhe zëvendësi i saj, 76-vjeçari Costantino Iametti, janë transportuar në një spital ku i janë nënshtruar ndërhyrjeve delikate.
Sipas burimeve, Prati ka marrë plagë në bark dhe në krah, ndërsa bashkëpunëtori i saj është qëlluar në kokë.
Edhe autori i sulmit është dërguar në spital për shkak të disa lëndimeve të marra pasi bëri rezistencë gjatë arrestimit. Më pas ai është transferuar në një kazermë karabinierësh.
Agjenti punonte prej tre vitesh në sektorin ekologjik, pasi ishte shkarkuar nga një detyrë më e lartë në gradë për shkak të disa shkeljeve.
Sipas disa dëshmitarëve, ai hyri armatosur në ambjentet e bashkisë dhe pasi largoi punonjësit hyri në zyrën e dy drejtuesve të saj dhe hapi zjarr. Kur doli prej andej ai tha: “Lava hesapet”.
Top Channel