Autoritetet besojnë se ishte një rrufe, shkaku i ferrit të flakëve në Yarnell të Arizonës, që i kushtoi jetën 19 zjarrfikësve, pjesëtarë të një ekipi elite, të cilët nuk do të humbisnin kësisoj, po të mos ishin gjendur në atë që mediat amerikane e përshkruajnë si “stuhinë e zjarrtë perfekte”.
Nga Afrika, Barack Obama lëshoi një deklaratë, ku i quante zjarrfikësit heronj. Presidenti tha se ai dhe Michelle, ashtu si të gjithë amerikanët “i kanë në mendje dhe luten për familjet e zjarrfikësve të guximshëm, si dhe për ata, jetët e të cilëve kanë ndryshuar përgjithmonë nga kjo tragjedi e tmerrshme”.
Për ekipet e zjarrfikësve në Shtetet e Bashkuara, kjo ishte dita me vdekjeprurëse që prej sulmeve të 11 shtatorit, dhe ajo që solli numrin më të madh të jetëve të humbura nga zjarret, që prej 1933-shit, kur 22 zjarrfikës vdiqën nga një i tillë në “Griffith Park” të Los Angeles-it.
Fatkeqësia ka shuar, sipas zyrtarëve vendas, 20% të departamentit të zjarrfikësve në Prescott. Flakët nisën mëngjesin e së premtes prej një rrufeje, e më pas janë përhapur me shpejtësi, të ushqyera nga i nxehti i madh dhe erërat e forta.
Arizona dhe pjesë të tjera të perëndimit të Shteteve të Bashkuara, përfshi Kaliforninë, shënuan këtë fundjavë temperatura të larta, që i afroheshin rekordit të të gjitha kohërave.
Rreth 250 zjarrfikës vazhdojnë të luftojnë me flakët në zonë. Katër ekipe specialistësh, me nga 20 persona secili, janë dërguar të japin ndihmën e tyre. Zjarret kanë detyruar evakuimin e dhjetra banorëve, ndërsa në Yarnell raportohet të jenë shkrumbuar prej tyre, të paktën 200 shtëpi.
Top Channel