Rrugët e shkatërruara të Liqenit

01/07/2013 00:00

Mbi 25 kilometra rrugë nga Lini deri në dalje të qytetit të Pogradecit janë në gjendje tërësisht të shkatërruar, jo vetëm nga amortizimi, por edhe nga zvarritja disa vjeçare e punimeve.

Rruga në anë të liqenit duhet të kishte përfunduar prej vitesh, por deri më tani shumë pak është bërë duke dëmtuar në radhë të parë turizmin. Kjo gjë theksohet edhe nga përfaqësuesit e Bashkisë së Pogradecit.

Drejtuesit e mjeteve janë dëshmitarët e lënies pas dore dhe zvarritjes së punimeve në këto rrugë prej 5 vjetësh: “Njësoj ka mbetur rruga, copë-copë. Asgjë nuk është bërë.”

Por edhe unaza e qytetit që është pjesë e aksit nacional ku kalojnë edhe mjetet e mëdha të transportit që vijnë e ikin në Greqi është e shkatërruar.

Zgjatja e udhëtimit, dëmtimi i rrugës, mungesa e elementeve të sigurisë, bëjnë që shumë turistë t’i shmangen Pogradecit që synon të luftojë varfërinë nëpërmjet biznesit të turizmit.

Top Channel