Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi, i kërkoi zyrtarisht ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, që të konkurrojë për presidente në vitin 2016, kur edhe mandati i dytë i Obamës të përfundojë.
Në një intervistë të publikuar të premten në “USA Today”, kryetarja e grupit parlamentar të demokratëve në Kongres u shpreh se “ekziston një pritshmëri dhe entuaziasëm i madh rreth një kandidature të mundshme të zonjës Clinton”.
Ajo shtoi se personalisht shpreson shumë që ish-Zonja e Parë e vendit të hyjë në garën presidenciale.
Duke sjellë në kujtesë pozicionet e Clinton si senatore, ish-Sekretare Shteti dhe një prej figurave më të vjetra të Partisë Demokratike, Pelosi theksoi se: “Askush tjetër nuk do të ishte më i kualifikuar për të zëvendësuar zotin Obama”.
Ajo gjithashtu shtoi se pasi SHBA theu një tabu duke emëruar presidentin e parë afroamerikan, tashmë ka ardhur koha që të thyhet edhe tabuja tjetër e madhe, ajo e një presidenteje femër.
Clinton nuk ka dhënë asnjë koment mbi mundësitë e konkurrimit të saj si kandidate presidenciale në vitin 2016, por shtypi ka lidhur gjerësisht dorëheqjen e saj nga detyra e Sekretares së Shtetit, me përgatitjen e mundshme të një kandidature gjatë katër viteve të ardhshme.
Top Channel