Prandelli: Kundër Spanjës duhen dy topa

26/06/2013 15:30

Mario Balotelli është larguar nga grumbullimi i kombëtares italiane në Brazil dhe është kthyer në Milano duke i dhënë fund kështu Kupës së Konfederatave. Sulmuesi kryesor i axurrëve u dëmtua në këmbën e majtë dhe vendosi që të kthehej në Itali për tu rekuperuar sa më mirë në kuadër të paraeliminatoreve të Ligës së Kampioneve që duhet të luajë me Milanin.

Tekniku i Italisë, Cesare Prandelli, shpjegon se si do e përballojë mungesën e yllit të skuadrës: “Pa Marion, do të duhet të luftojmë edhe më shumë në sulm. Kemi lojtarë me karakteristika të ndryshme për ta zëvendësuar.” Pritet që Alberto Gilardino të zërë vendin e Balotelli në formacion.

Të enjten Italia do të luajë gjysmëfinalen e Kupës së Konfederatave ndaj Spanjës dhe Prandelli e sheh shumë të vështirë këtë takim për faktin se skuadra e tij do e ketë të vështirë të përpunojë topin.

“Kur luan kundër Spanjës duhen dy topa në fushë sepse është e vështirë t’i heqësh topin nga këmbët. Janë skuadra më e mirë në botë”, theksoi Prandelli i cili për këtë takim do të rekuperojë Montolivon dhe Pirlon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA