Carlo Ancelotti është shprehur në fjalitë e para si trajner i ri i Realit të Madridit se “skuadra më prestigjioze në botë duhet të fitojë duke luajtur një futboll spektakolar”.
“Historia dhe tradita e e këtij klubi janë të lidhura me futbollin sulmues, spektakolar dhe do të punojmë për të kënaqur tifozët. Nuk do të jetë e lehtë”, tha ish-trajneri i cili me Milanin ka arritur të fitojë dy herë Ligën e Kampioneve, trofeun që kërkohet më shumë tek Real Madrid.
“E di që të gjithë duan Champions-in këtu. Edhe unë e pranoj këtë përgjegjësi dhe presion. Është një faktor motivues në punën time”, deklaroi Ancelotti, i cili do të ketë si ndihmës ish-mesfushorin e Juventusit dhe Realit, Zinedine Zidane.
“Ai do të qëndrojë me mua në pankinë, por fatkeqësisht nuk mund të luajë”, bëri shaka tekniku italian.
Në lidhje me të ardhmen e Kaka’, i cili shkëlqeu tek Milani pikërisht kur drejtohej nga Ancelotti, trajneri i ri i madrilenëve u shpreh: “E njoh shumë mirë. Do e shoh në stërvitje dhe do të vendos. Do të punojmë që Kaka’ të japë maksimumin si lojtar i Realit.”
Top Channel