FIFA: Asnjë “plan B” për Botërorin e 2014-s

25/06/2013 19:00

Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke, theksoi se organizimi më i rëndësishëm i futbollit botëror nuk është duke hartuar asnjë “plan B”, për zhvendosjen e Botërorit nga Brazili vitin e ardhshëm, nëse trazirat vazhdojnë.

Aktualisht, ndërsa Kupa e Konfederatave është në zhvillim, Brazili po përballet me revolta të mëdha sociale, për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe shpërdorimeve të fondeve shtetërore.

Kostoja e lartë e ndërtimit të stadiumeve dhe infrastrukturës së nevojshme për të pritur Botërorin e vitit të ardhshëm dhe Lojrat Olimpike të Rios në vitin 2016, gjithashtu kanë motivuar daljen masive të brazilianëve në rrugë për të protestuar, duke zhytur vendin në një krizë politike.

Megjithatë, FIFA nuk ka asnjë dyshim, të paktën për momentin. “Finalja e Kupës së Konfederatave do të zhvillohet në “Maracana”, ashtu siç është e sigurt që edhe Botërori i ardhshëm do të mbahet në Brazil”, deklaroi Valcke.

Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm pranoi se uron që situata të stabilizohet sa më shpejt, pasi FIFA shpenzoi 31 milionë dollarë shtesë, për të pajtuar firma të sigurisë private apo për shpenzimet e vullnetarëve shtesë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA